LAJMI I FUNDIT:

Dalipi: Kostoja nga keqmenaxhimi dhe politizimi i bordeve të AKP-së mund të jetë mbi 4 miliardë euro

Dalipi: Kostoja nga keqmenaxhimi dhe politizimi i bordeve të AKP-së mund të jetë mbi 4 miliardë euro
Foto: Arkiv

Ish-shefi i kabinetit të ish-kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi ka thënë se kostoja potenciale oportune e shkaktuar nga politizimi i bordeve dhe keqmenaxhimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mund të jetë mbi katër miliardë euro.

Ai me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se, performanca e dobët e AKP-së ka sjellë potencialisht katër miliardë euro më pak në buxhetin e shtetit.


“Kostoja oportune e shkaktuar nga AKP-ja mund të jetë nga 2.5 deri në 6.4 apo mesatarisht 4.4 miliardë euro. Kjo kosto enorme oportune është shkaktuar nga politizimi i vazhdueshëm i bordit dhe ekzekutivit të AKP-së këto 18 vite të ekzistencës së kësaj agjencie. Kjo përformancë e dobët e AKP-së ka sjellë potencialisht 4 miliard euro më pak në buxhetin e shtetit, dhe si rrjedhojë ka pamundësuar investimet e nevojitura për qytetarët, përfshirë edhe në sektorin e arsimit”, ka shkruar Dalipi.

Ditë më parë, ish-kryesuesi i Bordit në AKP, Petrit Gashi gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, ka thënë se për një mbledhje të Bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, kryesuesi kanë marrë mbi 3,000 euro si kompensim. /Telegrafi/