Ndër studiuesit më të dalluar në shkencën sllave, Jovan Cvijiq, ka ardhur në përfundim se popullsia shqiptare është me origjinë ilire dhe është një ndër popujt indoevropianë më të vjetër e autokton në Ballkan. Në konstatim të këtillë kanë ardhur edhe autorë të tjerë sllavë, të cilët do t’i përmendim më vonë.

Megjithatë, konstatimet e këtilla nuk kanë qenë në interes të politikës sllave, posaçërisht të asaj serbomadhe. Borgjezia serbe e kohës së Cvijiqit, ka udhëhequr një politikë kryekëput ekspansioniste-grabitqare. Qëllimi i saj, duke u dhënë rëndësi faktorëve natyrorë, ka qenë që t’i okupojë ato vende, të cilat mundësojnë dalje në det dhe që kanë rëndësi gjeostrategjike. Për të arritur këtë qëllim është dashur në fillim vendi të çlirohet nga okupuesi osman, e pastaj sa më tepër që është e mundur të marrin vend nga trojet e popujve të tjerë. Në mënyrë që të arrihej objektivi i caktuar i qeverisë serbe, më vonë edhe asaj jugosllave, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, duhej t’i vinin në ndihmë edhe punëtorët e shkencës, në krye me Akademinë e Shkencave.

Pikërisht, për këtë qëllim, Cvijiqi me mbështetësit e tij të kohës dhe pasuesit e mëvonshëm, duke harruar atë që kanë konstatuar më parë, filluan të plasojnë teza të reja për çështjen shqiptare të paqëndrueshme në fushën shkencore, që u kanë shërbyer interesave të politikës shtetërore grabitqare. Këto teza të Cvijiqit gjejnë mbështetje edhe në kohët e mëvonshme nga autorët sllavë.

Shkolla gjeografike e drejtimit antropogjeografik, të cilën e themeloi Cvijiqi, dallohej me dy cilësi: e para mbështetet në sqarimet parciale dhe në shtrembërimin e fakteve, që flasin për autoktoninë e shqiptarëve, dhe, e dyta, ka pasur qëllime kryekëput politike.

Në analizat shkencore që u ka bërë akademiku Hivzi Islami veprave të Cvijiqit, vjen në përfundime mjaft korrekte. Në interpretimet e informacioneve dhe të dhënave nga terreni, Cvijiqi “ishte joobjektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”.

Në vijim po japim pjesë të shkrimeve të autorit në fjalë, të cilat kanë të bëjnë me mjedisin, gjegjësisht, Sanxhakun, ku takohen popullsia sllave dhe shqiptare. Në aspektin gjeografik, fiset më të forta etnografike të Gadishullit Ballkanik, janë: banorët e Kodrave të Malit të Zi, pjesët e Hercegovinës, Peshterit dhe viset e Shqipërisë veriore. Banorët e këtyre trevave i kanë ruajtur formën e vjetër të vëllazërisë fisnore, gjinive-fiseve dhe organizimin e tyre. Këta kryesisht janë shumë të gjatë, vitalë, elastikë dhe kurrsesi të trashë, fytyrë me plot shprehje, syshqiponjë të sojit të bukur/racës në Gadishullin Ballkanik – të gjithë, edhe shqiptarët myslimanë siç i quan ai “arbanasët muhamedanë”.

Në jetën e përditshme janë shumë të përmbajtur, në të shumtën e rasteve nuk konsumojnë asnjë lloj pije alkoolike, ndërsa duhan dhe kafe shumë rrallë. Pothuajse nuk ka individ me të meta fizike e të degjeneruar, siç thotë ai. Ata e kanë ruajtur moralin e fortë malor, shpesh me veçori bujare, me ndjenja të thella për bashkësinë familjare dhe flijimin, e cila nuk mungon as pranë viktimave më të çmuara. Nga këto veçori rrjedhin veçori të shumta etnografike dhe antropogjeografike. Këto veçori janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kulturën dhe zakonet e popujve bizantinë dhe cincarë (arumunët). Për arbanasët (shqiptarët) toskë në jug, thotë se kanë shumë tipare bizantine dhe cincare.

Në pjesët veri-perëndimore të viseve të Serbisë blegtorët i quajnë “arnautin”, por ky është emri që nuk tregon njeriun e pasur me bagëti, por tani njerëzit e këtyre rajoneve, gjegjësisht, banorët e Sjenicës dhe Peshterasit i quajnë arnautë (shqiptarë). Ndërsa, banorët e trevës së Novi Pazarit dhe të Senicës, të cilët në masë të madhe i kanë banuar trevat e Stari Vllahut dhe Shumadinë, thuhet se kanë ardhur nga Arnautllaku (Shqipëria). Shumë fshatra në Shumadinë e ulët quhen treva të arnautëve (shqiptarëve), siç janë: Rogaci, Babana etj. Mandej edhe uzhiqasët të cilët kanë zbritur për të jetuar në Jadar dhe Maçvë. Njerëzit e atyre vendeve i kanë quajtur arnautë (shqiptarë). Edhe banorët e Kragujevcit, të cilët kanë ardhur nga trevat e Rashkës (Sanxhakut) i kanë quajtur arnautë (shqiptarë).

Në Serbinë lindore nuk është emri i pazakontë arnautë, dhe është i lidhur me imigrantët nga rrethina e Rashkës (Sanxhakut), ku janë në numër të madh. Kështu, lagjet e fshatrave i kanë quajtur lagje arnaute, ndërsa lumi që kalon nëpër qytetin e vogël të Bolevacit quhet Arnaut, siç kemi rastin edhe me shumë vorbulla. Shumica e të ardhurve në Serbi , nëpër qyteza ku janë përqendruar cincarët, rryma më e madhe për nga numri i të ardhurve janë nga Hercegovina, kodrat e Malit të Zi, trevës së Novi Pazarit, Bosnjës, por ka edhe arbanasë (shqiptarë).

Në Sanxhakun e Novi Pazarit në mesin e të ardhurve, në trevën e Sanxhakut ka Vasojeviq dhe një numër i madh i fisit Kuç, sidomos përgjatë luginës së lumit Lim. Cvijiqi në veprën e tij përveç tjerash shkruan: “Procese të rëndësishme etnografike kanë ndodhur në ato vise ku janë takuar popujt sllavë dhe ai shqiptar në Mal të Zi. Arbanasët janë serbizuar edhe në Mal të Zi. Të origjinës së tillë janë një pjesë e fisit Kuç dhe Piper, përveç asaj Vasojeviqët janë zgjeruar në kurriz të klimentëve (fisit Kelmend). Të njohura janë traditat gojore të origjinës së përbashkët të Vasojeviqëve, Piperëve dhe Ozriniqëve me Hotin dhe Krasniqin dhe afërsitë në mes tyre. Për fiset në Mal të Zi, thuhet se i kanë asimiluar popullsinë e vjetër në Bukumir, Kriçke dhe Potarje, dhe në mesin e tyre edhe fiset fqinje shqiptare”. /Telegrafi/