eksperti ad

Qeveria amerikane pret që Kina të mbajë premtimin për të blerë mallra të importit, nën marrëveshjen tregtare të nënshkruar në muajin janar, pavarësisht përhapjes së shpejtë të Coronavirusit.

Departamenti i Thesarit deklaroi se është shumë herët për të vlerësuar ndikimin e virusit tek ekonomia botërore, por skenari më i mirë tregon për një rënie të ekonomisë kineze në tremujorin e parë, ndjekur nga një rimëkëmbje e shpejtë më vonë.


Ministria kineze e Tregtisë deklaroi gjatë fundjavës se eksportet dhe importet për dy muajt e parë të vitit do të goditen nga epidemia, por shtoi se kompanitë e huaja do të rinisin prodhimin deri në fund të muajit shkurt.

Zyrtarët e Thesarit në SHBA bënë të ditur se nuk priten ndryshime në zbatimin e marrëveshjes së fazës së parë tregtare.

Sipas marrëveshjes, që hyri në fuqi në muajin shkurt, Kina ka premtuar të rrisë importet e mallrave amerikane me 77 miliardë dollarë në vitin 2020 dhe me 123 miliardë dollarë në vitin e ardhshëm.

Ekspertët janë treguar skeptik mbi mbajtjen e këtij premtimi nga Kina, që përpara shfaqjes së Coronavirusit. /Telegrafi/