Çmenduri për ndeshjen mes Modricit dhe Ronaldos: Biletat në tregun e zi shiten deri në 18,500 euro


Interesimi i jashtëzakonshëm për përballjen mes Portugalisë dhe Kroacisë në Kupën e Botës 2026 ka bërë që çmimet e biletave në tregun e rishitjes të arrijnë shifra marramendëse.
Sipas raportimeve të CTV News, disa bileta për ndeshjen e 1/16 së finales, që do të zhvillohet më 2 korrik në Toronto, po shiten deri në 30 mijë dollarë kanadezë, ose rreth 18,500 euro. Në platformat SeatGeek dhe StubHub, shumë bileta të tjera po ofrohen gjithashtu për mijëra euro.
Edhe biletat më të lira në tregun sekondar kushtojnë mbi 2,600 dollarë kanadezë, ndonëse kur FIFA i hodhi në shitje gjatë vitit 2025, çmimet zyrtare varionin nga 335 deri në 875 dollarë.
Ndeshja e dy legjendave
Interesimi i madh lidhet jo vetëm me rëndësinë e fazës eliminatore, por edhe me mundësinë që kjo të jetë ndeshja e fundit në Kupën e Botës për Cristiano Ronaldon ose Luka Modriçin.
Humbësi i kësaj sfide do t’i japë fund aventurës në Kampionatin Botëror, ndërsa fituesi do të sigurojë kualifikimin në çerekfinale.
Përballja ka zgjuar interes të madh edhe për shkak të komuniteteve të mëdha portugeze dhe kroate në zonën e Torontos. Në rajon jetojnë rreth 140 mijë persona me origjinë portugeze dhe afro 35 mijë me origjinë kroate, çka ka rritur ndjeshëm kërkesën për bileta.
🚨 𝐎𝐅𝐅𝐈𝐂𝐈𝐀𝐋: 𝐏𝐎𝐑𝐓𝐔𝐆𝐀𝐋 🇵🇹 𝐖𝐈𝐋𝐋 𝐓𝐀𝐊𝐄 𝐎𝐍 𝐂𝐑𝐎𝐀𝐓𝐈𝐀 🇭🇷 🤩🍿 pic.twitter.com/R1wt0IijBe
— 433 (@433) June 28, 2026
Ligji nuk po ndalon tregun e zi
Rritja e çmimeve vjen pavarësisht se provinca kanadeze e Ontarios ka miratuar një ligj që ndalon rishitjen e biletave mbi vlerën nominale. Megjithatë, platformat e rishitjes kanë pranuar se zbatimi i këtij ligji mbetet i vështirë, pasi është e komplikuar të verifikohet çmimi origjinal me të cilin është blerë çdo biletë.
Sfida mes Portugalisë dhe Kroacisë do të zhvillohet më 2 korrik në stadiumin e Torontos dhe pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjekura të fazës eliminatore të Kupës së Botës 2026. /Telegrafi/














































