LAJMI I FUNDIT:

Cilat janë sëmundjet që prekin më së shumti kulturën e grurit në Kosovë?

Cilat janë sëmundjet që prekin më së shumti kulturën e grurit në Kosovë?

Kulturat e ndryshme bujqësore, e në këtë kontest edhe gruri preket nga sëmundjet dhe dëmtuesit e ndryshëm të cilët në forma të ndyshme i shkaktojnë dëme si në rendiment ashtu edhe në cilësi.

Qëllimi kryesor i fermerëve në Kosovë është arritja e rendimentit të lartë, mirëpo gjatë procesit të prodhimit paraqiten shumë faktorë limitues që ndikojnë në mos arritjen e këtij qëllimi. Ndër këta faktorë janë agroteknika e dobët e aplikuar, mbjellja e farës jo cilësore dhe mbrojtja e bimëve jo në nivel të duhur dhe profesional nga sëmundjet dhe dëmtuesit e ndryshëm.


Disa prej sëmundjeve më të përhapura në vendin tone në kulturën e grurit janë këto:

Hiri i grurit (Erysiphe graminis)

Është sëmundje mjaft e përhapur, sidomos në zona me lagështi të madhe, me vesa e mjegulla të shpeshta. Prekë shumë drithëra që kultivohen si dhe barëra spontane të familjes Gramineae.

Erysiphe graminis, ashtu si dhe Puccinia graminis ka shumë forma të specializuara që parazitojnë mbi bimë të ndryshme.

Kështu mbi grurin paraziton Erysiphe graminis f. tritici, mbi tërshërën E. graminis f. avenae, mbi elbin E. graminis f. hordei, etj.

Simptomat: Sëmundja e hirit në të lashta prek organet mbitokësore të bimëve: gjethet, sqetullat e gjetheve, kërcellin dhe kallirin. Në këto organe në fillim formohen njolla klorotike e më vonë shfaqet një myk i bardhë që mund të mbulojë në varësi nga kushtet e ambientit pjesërisht ose plotësisht organet e prekura duke shkaktuar tharjen e tyre.

Patogjeni dhe cikli i sëmundjes: Shtresa e mykut përfaqëson micelin e këpurdhës, hifet e së cilës japin konidet (oidet) që shpërndahen me anën e erës, duke shkaktuar infeksione të reja. Në fund të zhvillimit të sëmundjes mbi mykun e këpurdhës formohen trupat e frutifikimit kleistotecët, brenda të cilave gjenden asket me askospore. Kleistotecët duken si pika të zeza mbi mykun këpurdhorë.

Konidet mbijnë në temperature nga 3 deri në 31 me një optimale prej 17°C, ndërsa lagështia relative e ajrit duhet të jetë së paku 95%. Sëmundja prek të lashtat si gjatë vjeshtës ashtu dhe në pranverë. Këpurdha dimëron në bimët e prekura në formë miceli ose në mbeturinat bimore me anën e trupave të frutifikimit- kleistotecët.

Masat e luftimit: Për luftimin e suksesshëm ndërmerren masa që kanë të bëjnë me pengimin e përhapjes së patogjenit: qarkullimi bimor, zhdukja e bimëve të vetëmbira të drithërave, zhdukja e mbeturinave bimore dhe kultivimi i kultivarëve të qëndrueshëm. Me suskes mund të përdoren fungicidet në bazë të squfurit dhe preparatet me veprim sistemi.

Ndryshku i grurit (Puccinia graminis)

Ndryshku i grurit, bënë pjesë në rendin Uredinalis, në familjen Pucciniaceae dhe gjininë Puccinia.

Këpurdha Puccinia graminis infekton dhe shkakton simptoma në dy lloje bimësh: poace ( grurë, tërshërë, thekër) dhe në bimët Berberis vulgaris dhe Mahania spp.

Shenjat e sëmundjes në grurë duken në formë të flluskave të zgjatura në gjethe, kërcell dhe në sqetullat e gjethes. Më vonë pustule të ngjashme shfaqen edhe në lëfostra të kokrrave, ku epiderma e flluskave qahet dhe lirohen urediniosporet, me ngjyrë të kuqërrremtë si të tullave.

Gjatë vegjetacionit në fazën e pjekjes së bimëve amvise urediniopustulet marrin ngjyrë të mbyllur të zezë dhe shndërrohen në teliopustule me teliospore.

Simptomat: shenjat e sëmundjes në mërqinjë si bimë ndërmjetëse, shfaqen në gjethe, degëza dhe ndonjëherë në fryte në formë pikëzash me ngjyrë të verdhë portokalli. Në njolla të tilla në sipërfaqe të gjethes duken disa kokërrza me ngjyrë të mbyllur, që janë spermagonet me spermaci.

Patogjeni dhe cikli i sëmundjes: shkaktare e ndryshkut të zi të grurit është këpurdhaPuccinia graminis f. sp. tritici me një cikël të plotë të zhvillimit, me spermagone dhe ecie në bimët ndërmjetëse Berberis vulgaris dhe Mahonia spp., urediniopustule dhe teliopustule në grurë dhe poace të tjera.

Në vende me klimë të ftohtë këpurdha dimëron në mbeturina të infektuara të grurit në formë të teliosporeve, të cilat në pranverë mbijnë në bazid me bazidiospore. Këto organe përhapen me anë të erës në largësi disa qindra kilometra.

Bloza e grurit (Ustilago tritici)

Bloza e grurit (Ustilago tritici) bën pjesë në rendin Ustilaginales, familje Ustilaginaceae dhe në gjininë Ustilago.

Është sëmundje e përhapur në shumë vendet e botës. Sëmundja pak ndikon në zvogëlimin e prodhimit të këtyre kulturave të rëndësishme, mesatarisht deri në 2%.

Sëmundja shfaqet drejtpërdrejt në kokrra të cilat shndërrohen në një masë të pluhurit të zi, që janë klamidosporet e patogjenit.

Simptomat: Shenjat e sëmundjes nuk duken deri në fazën e formimit të kokrrave. Kokrrat e infektuara kanë një cipë të hollë, që lehtë çahet nga lirohen sporet apo teliosporet që përhapen me anë të erës, ndërkaq në kallinj mbetet vetëm pjesa qendrore apo boshti.

Në një bimë të gjithë kallinjtë dhe kokrrat janë të infektuara. Bimët e infektuara para formimit të kallirit, kanë gjethe të drejta me ngjyrë të gjelbër të mbyllur dhe ndonjëherë me vija klorotike.

Patogjeni dhe cikli i sëmundjes: Miceli i këpurdhës është i vendosur në indin bimor, në fillim pa ngjyrë më vonë me ngjyrë të mbyllur.

Në fazën e pjekjes hifet e këpurdhës shndërrohen në pjesë me ngjyrë kafe të njohur si teliospore të dredhura dhe të rrumbullakta.

Këto organe janë të mbështjella me cipë të hollë membranore, e cila në fazën e pjekjes çahet, ndërsa teliosporet që lirohen përhapen me anë të erës.

Gjatë fazës së lulëzimit të bimëve, teliosporet mbijnë në promicel ose bazid, formojnë hife haploide me gjini të ndryshme që bashkohen në çifte, japin micel dybërthamor i cili depërton përmes stigmës ose murit të vezores dhe vendoset në perikarp, në indet e embrionit të kokrrës. Kështu miceli nuk është aktiv, por gjendet dhe dimëron në kokrra në gjendje latente.

Gjatë mbirjes së farës miceli ky aktivizohet dhe rritet bashkë me embrionin në mes të qelizave të indeve të reja bimore derisa i afrohet pikës së rritjes. Në këtë fazë miceli vazhdon të rritet, ndërsa hifet në pjesët e poshtme të kërcellit deformohen. Këpurdha që gjendet në brendi të qelizave, përveç boshtit, shkatërron tërësisht indin e kallirit. Miceli që gjendet në kokrra shndërrohet në teliospore. Teliosporet mbijnë në temperaturë optimale 20-25°C. Infektimi shkaktohet gjatë motit me shi të dobët.

Masat e luftimit: Para mbjelljes fara dezinfektohet me fungicide në bazë të karboksinit me veprim sistemik. Më herët për inaktivimin e micelit është përdorur metoda e futjes së farës në ujë të nxehtë. Është konstatuar se në embrion të farës që mbahet në ujë të nxehtë aktivizohen substanca në bazë të kuinonit me veti fungitoksike.

Për mbjellje përdoret fara e shëndoshë dhe kultivarët e qëndrueshëm me fazë të shkurtër të lulëzimit.

Septorioza e grurit (Septoria tritici)

Shumë specie të gjinisë Septoria jetojnë si parazitë në grurë dhe në drithëra të tjera. Janë të përhapura në të gjitha vendet kultivuese të grurit ku shkaktojnë dëme të konsiderueshme me karakter ekonomik. Këpurdhat e gjinisë Septoria shkaktojnë dëmtimin e grurit në tërë botën në lartësi prej 2% nga prodhimi i përgjithshëm.

Simptomat: Shenjat e septoriozës shfaqen gjatë tërë vegjetacionit në të gjitha pjesët mbitokësore të bimëve të ndjeshme si në gjethe, kërcell dhe në kallëza. Shenjat e para duken në gjethet e kateve të para, që zakonisht kontaktojnë me tokën në formë piklash klorotike. Këto më vonë shndërrohen në lezione të çrregullta me madhësi 1-5 x 4-15mm.

Në njolla apo lezione duken piknidet me ngjyrë të zezë. Gjethet e infektuara më vonë zverdhohen, gradualisht humbin ngjyrën e gjelbër dhe në fund tërësisht thahen. Kërcelli i bimëve të infektuara vyshket dhe thahet. Në kallëzi shfaqen njolla me ngjyrë të ndryshme, ndonjëherë shkaktohet steriliteti ose kokrrat mbesin të shterura.

Patogjeni dhe cikli i sëmundjes: Miceli i këpurdhës është i vendosur në indin ndërqelizorë. Pas përfundimit të periudhës së inkubacionit në njolla, nën shtresën epidermale formohen piknidet. Këto organe të përbëra kanë formë të rrumbullakët pakëz të shtypura, me një hapje apo ostiolë në pjesën e sipërme, të mbështjella me mur të rrudhur. Në piknide gjenden piknosporet pa ngjyrë hialine, në formë të zgjatur boshtore, të drejta ose pakëz të lakuara.

Piknosporet e Septoria tritici janë të ndara me 2-3 septe horizontale me madhësi mesatare 1.5-2 x 43-70µm.

Septoria tritici rritet në kulturë të pastër në temperaturë relativisht të gjerë 3-32°C, me atë optimale 22-26°C.

Dimërimi i këpurdhave sigurohet në mbeturina bimore në bimë të vetëmbira të grurit dhe në farë, në formë të piknideve dhe micelit. Moti me lagështi dhe me erë favorizon përhapjen e sëmundjes. Periudha e inkubacionit zgjat 6-9 ditë.

Masat e luftimit: Për mbjellje përdoren kultivarët e qëndrueshëm të grurit, fara e shëndoshë dhe qarkullimi bimor. Dezinfektimi i farës dhe trajtimi i bimëve në fushë bëhet me fungicide që kanë spektër të gjerë veprimi.

Kalbëzimi i rrënjëve të të lashtave (Ophiobolus graminis)

Patogjeni prek rreth 170 specie graminesh duke përfshirë edhe drithërat. Në vendin tonë dëmton në rradhë të parë grurin.

Simptomat: Këpurdha prek rrënjët e bimëve nga fundi i dimrit, duke shkaktuar nxirjen dhe kalbjen e tyre. Fijet miceliale kalojnë pastaj nga rrënjët në drejtim të kërcellit dhe infektojnë edhe këtë në zonën e qafës nën nyjen e poshtëme.

Qafa e kërcellit të prekur merr ngjyrë të errët deri në të zezë. Kërcejt dobësohen, thyhen dhe shkulen me lehtësi. Bimët e prekura rrëzohen në mënyrë të pa rregullt, gjë që bën të dallohet nga rrëzimi i të lashtave nga era, e cila i shtrinë ato në një drejtim. Bimët e sëmura nuk vëllazërojnë dhe zhvillohen shumë keq.

Kur infektimi është i hershëm dhe dimri i butë e i lagët bimët zhduken në masë që në fillim të majit, ndërsa kur infeksioni fillon vonë dhe nëse konditat atmosferike lejojnë një rritje të shpejtë të të lashtave, atëhere këpurdha nuk arrin ta vrasi plotësisht bimën, por kjo formon kallinj pa kokrra, ose këto të fundit edhe kur formohen janë të mpita. Kallinjtë e bimëve të prekura dallohen se kanë ngjyrë të bardhë.

Patogjeni dhe cikli i sëmundjes: Ophiobolus graminis zhvillohet mirë në temperaturën 19-20°C dhe kur lagështira e tokës është e lartë (60-80%). Sëmundja ndeshet më shumë në ato ngastra me të lashta që mbajnë shumë ujë dhe kur nuk është i organizuar mirë kullimi. Këpurdha zhvillohet mirë në toka të lehta, pak alkaline dhe të varfëra me mikroflorë. Sëmundja përhapet sidomos kur në periudhën mars-maj ka shumë rreshje dhe temperatura relativisht të larta.

Këpurdha ruhet në mbeturinat bimore në tokë. Në to formohen edhe peritecet e parazitit, të cilat përmbajnë asket me sporet që shkaktojnë infektime vitin e ardhëshëm. Ka të dhëna që gjatë mbirjes nga kërcejt e prekur sporet kalojnë mbi farën e grurit dhe në këtë mënyrë kjo e fundit në qoftë se dezinfektohet bëhet bartëse e sëmundjes. Si bartëse të sëmundjes mund të jenë edhe graminoret e egra, të cilat mund të infektohen prej këtij paraziti.

Njollosja e gjetheve të grurit (Helminthosporium gramineum)

Kjo këpurdhë prek kryesisht elbin, por mund të zhvillohet edhe mbi të lashtat tjera. Sëmundja zhvillohet që kur bimët janë në moshë të re, por intensiteti më i lartë i saj është në pranverën e vonët.

Simptomat: Në gjethet e prekura formohen njolla të zgjatura në fillim me ngjyrë klorotike e më vonë në kafe me periferi të errët në të zezë ose e gjithë njolla merr ngjyrë kafe të errët. Me kohë gjethet fillojnë të thahen dhe vendet e njollave çahen për së gjati. Përveç gjetheve që preken më rëndë, sëmundja mund të përhapet edhe në kërcell edhe në kalli duke infektuar dhe kokrrat. Edhe në këto organe shkakton njolla të errëta.

Patogjeni dhe cikli i sëmundjes: Mbi njollat me kohë dalin konidembajtëset me konidet. Këto të fundit kanë ngjyrë kafe dhe formë të zgjatur me 3-6 qeliza; në pamjen mikroskopike kanë formë krimbi, prej nga gjinia ka marrë emrin Helminthosporium. Gjatë vegjetacionit sëmundja përhapet me anën e konideve.

Helminthosporium gramineum infekton bimët në temperatura relativisht të ulta 10-15°C, ndërsa kur temperatura arrin mbi 20°C zakonisht nuk zhvillohet.

Zhvillimin e sëmundjes e ndihmojnë shirat, ose lagështia e lartë relative e ajrit.

Kur fara ka infeksion të brendshëm, jep bimë të pazhvilluara mirë. Në pjesën më të madhe sëmundja në këto raste prekë sistemin rrënjor, duke shkaktuar kalbëzimin e tij dhe bima vdes. Nëse i shpëton këtij infeksioni bima rritet, por në mënyrë difuze brenda saj rritet edhe këpurdha e cila shkakton prekjen e gjetheve.

Masat e luftimit: Punimet e thella të bëhen sa më herët, në mënyrë që jo vetëm mbeturinat bimore të futen thellë në tokë, por edhe të dekompozohen sa më shpejtë.

Të mos mbillet për shumë vjet e njëjta kulturë ose kultura të ndieshme karshi këtyre parazitëve në të njejtën tokë.

Para mbjelljes të bëhet dezinfektimi i farës.

Në trend Ekonomi

Më shumë
Agro Trade hap showroom-in e ri të pijeve - mysafirë special presidenti i Coca-Colas dhe Ujit Tepelena

Agro Trade hap showroom-in e ri të pijeve - mysafirë special presidenti i Coca-Colas dhe Ujit Tepelena

Elfije Boletini
Ndryshimi në skemën sociale, ministri Murati fton familjet në nevojë për aplikim

Ndryshimi në skemën sociale, ministri Murati fton familjet në nevojë për aplikim

Ekonomi

"Holiday In Resort 2", Shëngjin - Investimi më i zgjuar që do të bëni

Edil Project
Lansohet BrainHero: Platforma AI që zhvillon kreativitetin e fëmijëve

Lansohet BrainHero: Platforma AI që zhvillon kreativitetin e fëmijëve

BrainHero.ai
Momentin kur dështon dreka, zgjidhja e shpejtë është Perfetta

Momentin kur dështon dreka, zgjidhja e shpejtë është Perfetta

Perfetta Pashteta
Fivestar Fitness sjell koleksionin më cilësor të veshjeve sportive Fivestar Nation

Fivestar Fitness sjell koleksionin më cilësor të veshjeve sportive Fivestar Nation

Fivestar
Kalo në kategori