Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka deklaruar se sektori i qumështit në Kosovë po përballet me presione të jashtme dhe me zhvillime shqetësuese në tregun e produkteve të qumështit.

Në një konferencë për media, Muja tha se institucionet kanë identifikuar tendenca për zëvendësimin e yndyrave shtazore me yndyra bimore dhe përdorimin e qumështit pluhur në prodhim.


“Sektori i qumështit është duke u përballur me presione të jashtme. Zakonisht tendenca është për ta ndryshuar përbërjen yndyrore, yndyrat shtazore me yndyrat bimore. Ajo çfarë më herët është nxjerrë nga qumështi për të prodhuar yndyrë shtazore, ka një tendencë që ajo të zëvendësohet me yndyrë bimore, me vaj palme edhe me qumësht pluhur”, deklaroi Muja.

Sipas tij, ajo që më parë nxirrej nga qumështi për prodhimin e yndyrës shtazore, po zëvendësohet gjithnjë e më shumë me vaj palme dhe qumësht pluhur.

Muja theksoi se të dhënat institucionale tregojnë një rritje të importit të qumështit pluhur, duke e lidhur këtë me rënien e fuqisë blerëse ndaj fermerëve vendorë.

Fermerët protestues kanë deklaruar se çmimi i qumështit është ulur nga 48 centë në rreth 27 deri në 30 centë për litër, situatë që sipas tyre po e vështirëson mbijetesën e prodhimit vendor.

Megjithatë, Muja hodhi poshtë pretendimet se ulja e çmimeve lidhet drejtpërdrejt me importin, duke thënë se çmimi i qumështit të importuar ka shënuar rritje gjatë muajve të fundit.

Ai shtoi se analizat e institucioneve tregojnë se në nëntor të vitit 2024 ka pasur një ulje të koordinuar të çmimit që u paguhet fermerëve për litër qumështi.

“Ajo çfarë kemi gjetur është që çmimi për litër në fermë ka qenë një moment vendimtar në nëntor të vitit 2024, kur unë gjykoj që ka pasë një ulje të koordinuar të çmimit që i paguhet fermerëve”, tha Muja.

Sipas Mujës, ndonëse fermerët po paguhen më pak, konsumatorët nuk kanë përfituar ulje të çmimeve në treg. Ai tha se barra e kostos ka rënë mbi fermerët, ndërsa marzha e fitimit ka kaluar te përpunuesit e qumështit dhe supermarketet. /Telegrafi/