Të mërkurën (19.00) në Prishtinë do të vijë njëra prej skuadrave më të suksesshme në basketbollin evropian. Cibona e Zagrebit, ish-kampione evropiane, do të vijë në Prishtinë për të zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën kampione të Kosovës, Sigal Prishtinën.

Opinioni basketbolldashës në Kosovë do të ketë mundësi që nga afër t’i shohë basketbollistët e skuadrës kampione të Kroacisë, e cila ka ‘prodhuar’ basketbollistë që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në ligën më cilësore të basketbollit në botë – NBA.


Pa përgatitje të veçanta

Ndihmëstrajneri i Sigal Prishtinës, Fikret Shatri, tha të hënën për ‘Sport Plus’ se skuadra kroate do të vijë në Prishtinë për ta nderuar jo vetëm Sigal Prishtinën, por edhe basketbollin kosovar.

“Cibona vjen në kryeqytetin tonë për ta nderuar Sigal Prishtinën. Cibona është skuadër e madhe evropiane, e cila ka qenë edhe kampione e Kontinentit të Vjetër”, tha Shatri.

Tutje numri dy i bankinës së Sigal Prishtinës, thotë se nuk kanë bërë përgatitje të veçanta për sfidën me Cibonën. “Nuk kemi bërë përgatitje të veçanta, por ne do të përpiqemi që në këtë ndeshje të lëmë përshtypje sa më të mirë, pasi me skuadrat e mëdha mund t’i tregojmë cilësitë tona”, shtoi më pas Shatri. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app