Nike ka publikuar zyrtarisht reklamën e shumëpritur për Kupën e Botës 2026, një prodhim spektakolar me titull “Rip the Script”, i cili ka tërhequr menjëherë vëmendjen e tifozëve në mbarë botën.

Reklama, e cila zgjat rreth gjashtë minuta, është ndërtuar si një film hollivudian me buxhet të madh, ku disa nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror sfidojnë skenarin e përgatitur dhe zgjedhin të luajnë futboll në mënyrë spontane, duke treguar kreativitetin dhe instinktin që i karakterizon në fushë.


Një nga momentet më të komentuara të videos vjen kur kamera zhvendoset në një set filmik, ku sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, shihet i ulur qetësisht në anë të skenës.

Por surpriza e vërtetë ndodhet pranë tij, në krah të norvegjezit shfaqet aktori i njohur hollivudian Channing Tatum, i veshur me të njëjtën uniformë, me paruke bionde dhe modelin karakteristik të flokëve të Haalandit.

Në reklamë, Tatum luan rolin e “dublantit” të sulmuesit, duke krijuar një skenë humoristike që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Aktori amerikan arrin të imitojë në mënyrë mbresëlënëse pamjen ikonike të Haalandit, duke rikrijuar stilin e tij karakteristik që e ka bërë një nga figurat më të dallueshme të futbollit modern.

Reklama “Rip the Script” përfshin gjithashtu një numër të madh yjesh të futbollit botëror dhe konsiderohet si një nga fushatat më ambicioze të Nike në prag të Kupës së Botës 2026.

Me kombinimin e futbollit, humorit dhe elementeve të industrisë së filmit, kompania sportive ka synuar të përcjellë mesazhin se futbolli më i bukur lind kur lojtarët ndjekin instinktin e tyre dhe jo një skenar të paracaktuar.

Pikërisht skena me Haalandin dhe Channing Tatum është kthyer në një nga momentet më virale të reklamës, duke bërë që shumë tifozë të pyesin me humor: “Kush është Haalandi i vërtetë?”. /Telegrafi/

telegrafi sport app