Juventus do të ketë nevojë për një mrekulli në javën e fundit të sezonit për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm, pasi u mposht 2-0 nga Fiorentina.

Pas kësaj humbjeje, Juventusi ra në vendin e gjashtë në tabelën e Serie A me 68 pikë, po aq sa Como, por mbetet pas tyre për shkak të rekordit më të dobët në përballjet direkte.


Skuadra torineze aktualisht ndodhet dy pikë prapa Romës dhe Milanit, të cilat mbajnë vendet e fundit që sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Për të siguruar një vend në elitën evropiane për sezonin 2026/27, Juventusi duhet të mposhtë Torino në javën e fundit dhe njëkohësisht të shpresojë që Milani, Roma dhe Como të mos fitojnë ndeshjet e tyre.

Juventusi ka avantazh në përballjet direkte ndaj Romës, çka do të thotë se do të renditej mbi kryeqytetasit në rast të pikëve të barabarta.

Ndërkohë, përballjet direkte me Milanin janë të balancuara, por Juventusi ka aktualisht diferencë më të mirë golash, +27 kundrejt +19 të kuqezinjve.

Megjithatë, Como mban avantazhin në duelet direkte ndaj Juventusit, që do të thotë se skuadrës së drejtuar nga Cesc Fabregas i mjafton të arrijë të njëjtin rezultat si Juventusi në javën e fundit për të mbetur përpara në renditje.

Situata komplikohet edhe më shumë për bardhezinjtë, pasi mbrojtësi brazilian Gleison Bremer do të mungojë në ndeshjen vendimtare ndaj Torinos për shkak të pezullimit pas kartonit të verdhë të marrë kundër Fiorentinës. /Telegrafi/

telegrafi sport app