Çfarë duhet të dini rreth hantavirusit - virusi i rrallë që përhapet nga brejtësit

Një burrë britanik që ishte në bordin e anijes MV Hondius është në kujdes intensiv në Johannesburg, i infektuar me hantavirus, me pesë raste të dyshuara që ende nuk janë konfirmuar.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virusi përhapet kryesisht nga brejtësit, por mund të transmetohet edhe midis njerëzve në raste të rralla.
Njerëzit zakonisht infektohen kur virusi në jashtëqitjet e brejtësve, pështymë dhe urinë, përhapet në ajër.
Çfarë sëmundjesh mund të shkaktojë?
Është një familje virusesh që mund të shkaktojnë dy sëmundje, njëra që prek kryesisht mushkëritë dhe tjetra që sulmon veshkat.
E para - sindroma pulmonare e hantavirusit, që gjendet më shpesh në SHBA- ka një shkallë të lartë vdekshmërie prej rreth 40%.
Është e rrallë: sipas qeverisë kanadeze, rreth 200 raste të sëmundjes pulmonare të shkaktuar nga hantavirusi ndodhin çdo vit në të gjithë botën.
Por bëri bujë në media kur pianistja Betsy Arakawa, gruaja e aktorit Gene Hackman, vdiq nga sëmundja në New Mexico në vitin 2025, sipas rezultateve të autopsisë.
Cilat janë simptomat?
Hantavirusi zakonisht fillon me simptoma të ngjashme me gripin, të tilla si lodhje dhe ethe, një deri në tetë javë pas ekspozimit, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Katër deri në dhjetë ditë më vonë, shfaqet kollë, frymëmarrje e vështirësuar, dhe lëng në mushkëri.
Nuk ka terapi specifike për infeksionin hantavirus, kështu që trajtimi përqendrohet në kujdesin mbështetës, duke përfshirë pushimin.
Pacientët mund të kenë nevojë për mbështetje të frymëmarrjes, siç është oksigjeni.
Ekspertët thonë se ekspozimi ndaj hantavirusit mund të minimizohet duke penguar dhe eliminuar brejtësit nga zonat ku ndodhen njerëzit. /Telegrafi/

















































