LAJMI I FUNDIT:

Çfarë duhet të bëni nëse keni dhimbje gjoksi?

Çfarë duhet të bëni nëse keni dhimbje gjoksi?

Shumica e dhimbjeve të gjoksit nuk janë të lidhura me zemrën. Ato mund të kenë natyra të ndryshme si: muskulore, ashtërore, kurrizore, mushkërore, gastrointestinale, emocionale, etj.

Dr. Gojart Xh. Pllana, MD
Specialist i Kardiologjisë
045/048 108018


Më poshtë do të shohim se kur këto dhimbje janë më serioze dhe kur duhet të shqetësohemi për to.

Fillimisht do të njihemi me dhimbjet e gjoksit që ndoshta nuk janë shkaktuar nga ndonjë problem me zemër. Ju nuk duhet të shqetësoheni shumë nëse:

▪ Keni dhimbje në një pikë të vetme në gjoks, të cilën e cekni me anë të gishtit.
▪ Dhimbja shtohet kur merr frymë thellë ose nëse nuk merrni frymë për disa sekonda zvogëlohet ndjeshëm dhimbja.
▪ Dhimbja ndryshon gjatë lëvizjes se një pjesë specifike (krahëve, qafës).
▪ Antacidët (barërat për nivelizimin e thartirës në lukth) lehtësojnë dhimbjen.
▪ Dhimbja zgjatë vetëm disa sekonda.

Kur duhet vizituar kardiologun

Nëse nuk jeni të sigurt nëse simptomat tuaja janë serioze ose jo duhet që sa më shpejtë që është e mundur të bëni një vizitë te kardiologu për të vlerësuar nëse dhimbja juaj është një emergjencë apo jo.

Nëse keni dhimbje në gjoks që nuk largohet, duhet vizituar mjekun për vlerësimin e asaj dhimbje.

Edhe dhimbja e gjoksit që nuk shkaktohet nga sëmundjet e zemrës mund të jetë një shenjë paralajmëruese e problemeve të tjera si: aorta (enën me te madhe të gjakut që del nga zemra), mushkëri ose organe të tretjes.

Ju duhet që të lajmëroheni menjëherë te kardiologu nëse:

▪ Keni dhimbje mesatare ose çfarëdo shqetësimi në gjoks, nëse ju jeni përgjegjës për jetën e të tjerëve (si psh. pilot, shofer autobusi ose kujdestar i vetëm për fëmijë të vegjël).
▪ Keni dhimbje të kraharorit që nuk kalon me ilaçe, e cila ndodh pas një aktiviteti minimal fizik ose ndodh menjëherë gjatë pushimit kur keni bërë një aktivitet fizik.
▪ Keni dhimbje kraharori ose diskonfort për herë të parë, me simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes së arteries koronare.

Njoftojeni mjekun tuaj nëse:

▪ Keni një histori të dhimbjeve të gjoksit të shkaktuar nga enët koronare të zemrës (angjina).
▪ Keni një ose më shumë faktorë rreziku për sëmundje të zemrës (diabeti, duhani, HTA).
▪ Keni një histori familjare të vdekjes së papritur nga sulmi në zemër.

Kur duhet të lajmëroni ndihmën e shpejtë

Telefononi 194 nëse keni simptoma të sulmit në zemrës që zgjasin më shumë se 5 minuta. Gjithmonë kërkoni menjëherë kujdesin e urgjencës nëse mendoni se po ndodh një sulm në zemër. Mos prisni për të parë nëse ai kalon.

Ju nuk duhet të ngriheni apo te provoni të vozisni vetë deri në emergjencë nëse mendoni se po përjetoni një sulm në zemër. Telefononi ndihmën e shpejtë dhe nëse ajo nuk mund të vijë menjëherë, duhet dikush t’ju dërgojë në emergjencë, assesi të ngisni vetë makinën.

Telefononi 194 ose shërbime të tjera emergjente në qoftë se keni dhimbje në gjoks që janë shtrënguese dhe shtypëse të shoqëruara me ndonjë nga simptomat e mëposhtme:

• Djersitje
• Vështirësi në frymëmarrje (frymëmarrje të shkurta)
• Mundim dhe/ose të vjella
• Dhimbje që përhapet nga gjoksi në qafë, nofulla, njërin apo të dy krahët
• Marramendje
• Puls të shpejtë ose te parregullt
• Shenjat e shokut (të tilla si dobësi e rëndë, paaftësia për të qëndruar në këmbë apo për të ecur)

Simptomat që duhet marrë parasysh

Simptomat e sëmundjeve të arterieve koronare dhe sulmit në zemër janë individuale dhe dallojnë në njerëz të ndryshëm.

Disa njerëz mund të kenë dhimbje gjoksi, të tjerët mund të kenë simptoma të lehta që mund të përfshijnë frymëzënie, ndjenjë të djegies në gjoks, vjellje ose lodhje. Një sulm në zemër mund të ndjehet dhe si dispepsi që nuk largohet nga antacidet.

Shumica e sulmeve në zemër përfshijnë shtrëngim në qendër të gjoksit që zgjatë më shumë se disa minuta e cila largohet dhe kthehet prapë.

Disa nga mënyrat se si pacientët përshkruajnë këtë shqetësim janë:

▪ Shtypje me intensitet të lartë në gjoks
▪ Shtrëngim të fortë gjoksi
▪ Dhimbje shpuese
▪ Mundim, djersë të ftohta
▪ Ndjesi djegieje

Simptomat tjera të një sulmi në zemër përfshijnë:

• Ndjenjë të ngufatjes ose ngushtim fyti, një gungë në fyt, ose një nevojë për të mbajtur gëlltitjen,
• Të përziera,
• Vështirësi frymëmarrjeje,
• Çrregullim ritmi,
• Nervozitet, siklet në krah ose në dorë.

Paraqituni te kardiologu nëse:

▪ Keni dhimbje gjoksi gjatë dy muajve të fundit por që tani dhimbja është intensifikuar/përkeqësuar.
▪ Keni dhimbje gjoksi që ndodh 3 ose më shumë herë në ditë.
▪ Nëse dhimbja e gjoksit papritmas bëhet më e shpeshtë ose me e rëndë, zgjatë më shumë, ose ka ardhur nga një aktivitet fizik i lehtë në krahasim me më parë.
▪ Lajmërohuni te kardiologu juaj nëse keni pasur sëmundje të enëve të gjakut të zemrës të diagnostikuara dhe keni dhimbje në gjoks që nuk largohet edhe përkundër terapisë që përdorni për trajtimin e angjinës në shtëpi.

Përfundim

I shëndoshi ka 1000 dëshira, ndërsa i sëmuri vetëm një: që të shërohet sa më shpejtë, prandaj është shumë e rëndësishme që të ruajmë shëndetin tonë duke eliminuar faktorët e rrezikut (duhanin, alkoolin, yndyrat, sheqernat) dhe të merremi sa më shumë me aktivitet fizik.

Duke ditur se dhimbjet e gjoksit në përgjithësi (pa marrë parasysh a janë me natyrë kardiake apo jo) janë ndër dhimbjet më të shpeshta, diagnostikimi sa më i shpejtë i tyre është shumë i nevojshëm.

Është shumë e lehtë për një profesionist/Kardiolog që t’i definojë ato nëse kanë të bëjnë me zemrën apo jo, prandaj ju rekomandoj që nëse keni dhimbje gjoksi të lajmëroheni te kardiologu për të vlerësuar natyrën e tyre. Dhashtë Zoti ato mos të kenë karakter kardiak, por mendoj se ia vlen të definohet natyra e dhimbjeve të gjoksit në mënyrë që nëse ato janë me natyrë kardiake të diagnostikohen me kohë edhe të kenë trajtim më efikas, ndërsa nëse ato nuk kanë të bëjnë me zemrën të jemi të liruar nga presioni dhe dyshimi se mos rastësisht këto dhimbje janë nga aparati kryesor i trupit të njeriut që quhet ZEMËR… /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori