Cara Delevingne ka nisur turneun e saj muzikor në 11 qytete të Evropës dhe Amerikës së Veriut, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e saj artistike.

Megjithatë, performancat e para kanë sjellë reagime të ndryshme nga publiku.


Modelja dhe aktorja 33-vjeçare u ngjit së fundmi në skenën e festivalit Primavera Sound, ku videot e performancës së saj u përhapën shpejt në rrjetet sociale, shkruan DailyMail.

Ndërsa disa e vlerësuan paraqitjen e saj si “çuditërisht të mirë”, të tjerë nuk kursyen kritikat, duke komentuar se ajo nuk duhet të heqë dorë nga karriera që e bëri të famshme.

Pavarësisht komenteve të ndara, shumë fansa dolën në mbështetje të saj. Disa prej tyre thanë se koncerti në Berlin ishte shumë më i mirë sesa dukej në videot që qarkulluan online, madje duke treguar se publiku u emocionua gjatë performancës.

Delevingne u shfaq plot energji në skenë, duke kënduar, luajtur kitarë dhe vallëzuar para publikut.

Kalimi i saj drejt muzikës vjen pas suksesit në teatrin londinez, ku mori vlerësime për rolin e Sally Bowles në shfaqjen “Cabaret”.

Megjithatë, fillimi i turneut nuk ishte i lehtë. Vetëm një ditë para koncertit të parë në Berlin, ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente dentare për shkak të një infeksioni.

Pavarësisht kësaj, artistja vendosi të vazhdonte me performancën, duke u thënë fansave: “Shfaqja duhet të vazhdojë”.

Muajin e kaluar, Cara publikoi këngët e reja “I Forgot” dhe “Out of My Head”, ndërsa albumi i saj i parë pritet të publikohet gjatë verës.

Artistja e ka përshkruar këtë projekt si një “rilindje”, duke treguar se muzika ka qenë gjithmonë një pasion i saj, edhe pse për vite me radhë e mbajti larg syrit të publikut. /Telegrafi/