LAJMI I FUNDIT:

Buxheti i shtetit, shumë shpenzime për mëditje dhe mallra e shërbime

Buxheti i shtetit, shumë shpenzime për mëditje dhe mallra e shërbime

Shpenzimet e parasë së shtetit në vitin 2019 janë rritur për 274 milionë euro, por sipas njohësve të ekonomisë pothuajse shumica e organizatave buxhetore nuk po analizojnë efektet e tyre dhe nuk ka monitorim të duhur në shpenzimin e tyre.

Për paga dhe mëditje janë paraparë 620 milionë euro apo 5 për qind më shumë se vitin e kaluar, për mallra dhe shërbime 307 milionë euro ose 29 për qind më shumë, subvencione dhe transfere 600 milionë euro ose 14 për qind më shumë, si dhe për shpenzime kapitale 789 milionë euro ose 14 për qind më shumë se në vitin e kaluar.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa thotë se shpeshherë përgjegjësia është e pamjaftueshme për shpenzimin e këtyre mjeteve, sipas të cilit, ka edhe ndikime nga grupe të caktuara të interesit për ndarjen e këtyre mjeteve.

Ish deputeti Mustafa shpreh shqetësimin e tij për ndarjet buxhetore në vija politike, për keqpërdorimin e buxhetit në projekte infrastrukture dhe në ndarjen e subvencioneve të cilat bëhen nga secila ministri.

“Në infrastrukturë ka qenë e dobishme. Mirëpo tek ne është tepruar për me një angazhim frontal që i tejkalon kapacitetet absorbuese tona, dhe çmimet sidomos në këto autostrada konsiderohet se janë mbi çmimet e tregut botërore. Dhe këto të dyja mandej kanë pasur efektin relative në buxhet dhe kanë lënë pak hapësirë për investim në arsim dhe shëndetësi që janë prioritare për zhvillimin modern të vendit”, thotë Mustafa.

Profesori Mustafa përmend se Kosova ka një pako buxheti të afërt me vendet e rajonit, por problemi është se shumë ka pjesëmarrës në këtë buxhet që s’e meritojnë ato pako sociale.

Sipas tij, nuk janë vetëm veteranët, por ka edhe shumë kategori të tjera që po t’ju bëhet një auditim i rreptë do të duhej të hiqeshin nga pakoja sociale, në mënyrë që të mbeten më shumë mjete për të varfëritë.

Këshilltari i ministrit të Financave, Lulzim Rafuna, thotë se buxheti është shpërndarë sipas prioriteteve të programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas të cilit prioritet i është dhënë objektivit për arsimi, për shëndetësi, atij për sundim të ligjit po ashtu edhe në infrastrukturë.

“Kemi arritur që ta kemi buxhetin, i cili ka shpenzimet kapitale më të larta prej buxheteve në të gjitha vendet e rajonit. Ne ende vazhdojmë ta kemi një pjesëmarrje të lartë të shpenzimeve kapitale, që është një ndihmesë për ekonominë e vendit. Vazhdojmë ta kemi pjesëmarrjen me 33 për qind të buxhetit në shpenzime kapitale”, pohon Rafuna.

Ai ka apeluar tek organizatat buxhetore që t’i avancojnë procedurat e shpenzimeve në mënyrë që të ketë një stimulim në zhvillimin ekonomik.

Derisa ka kaluar gjysma e vitit kalendarik, Rafuna thotë se Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës vazhdojnë të jenë mbushësit kryesor të buxhetit të shtetit edhe në këtë gjashtë mujor-2019, ku të hyrat janë përafërsisht rreth 10 për qind më shumë se në vitin e kaluar që është një indikacion se do t’i realizojnë të hyrave e planifikuara deri në fund të vitit.

“Edhe Administrata Doganore, edhe Administrata Tatimore, deri më sot jemi të kënaqur me nivelin e të hyrave. Përveç që janë mbi nivelin e të hyrave të vitit të kaluar, administrata Doganore është mbi 6 për qind, ndërsa ATK mbi 10 përqind krahasuar me vitin e kaluar si dhe janë afër plus një për qind me planifikimet për këtë gjashtë mujor”, thotë ai.

Ndërsa, shpenzimet e planifikuara për këtë vit krahasuar me vitin e kaluar janë 204 milionë euro funksionet e drejtësisë, mbrojtjes dhe sigurisë publike. /kp/Telegrafi/