LAJMI I FUNDIT:

Briken Calja i gjashti në Olimpiadë

Briken Calja i gjashti në Olimpiadë

Briken Calja u rendit i 6 në Olimpiadën e Rio de Janeiros në peshëngritje në kategorinë 69 kilogram.

Një përfaqësim deri diku i kënaqshëm ky për 26-vjecarin shqiptar që ngriti në dygarësh 326 kg, po aq sa në botërorin e Houston 9 muaj më parë kur u rendit në vendin e tetë.


Në sallën e Riocentrors peshëngritësi nga Shtërmeni e nisi në Baterinë A me 145 kg në stilin e shkëputjes, kujtojmë se kishte ngritur 143 në botërorin e Houstonit 9 muaj më parë, pra dy kg më tepër, por gjithsesi ishte një provë e realizuar me sukses nga 26-vjecari, simbolik dhe gjesti i tij teksa puth flamurin shqiptar në uniformë pas realizimit të provës.

Fillimisht Calja deklaroi 149 kg për provën e dytë por duke parë ecurinë e garës vendosi ta ngrejë në 151kg, ndoshta më shumë nga sa duhej pasi përqëndrimi në sytë e sportistit shqiptar të fiksuar nga afër nga kamera është i madh por nuk arrin ta fiksojë lart shtangën që i kalon nga pas. Edhe prova e tretë me të njëjtën peshë, 151 kg është e destinuar të dështojë me Caljen që e mbyll garën në stilin e shkëputjes me 145 kg dhe është dukshëm i pakënaqur teksa i drejtohet sallës së dedikuar për nxemjen e sportistëve. Në stilin e shtytjes peshëngritësi shqiptar e nisi me 175 kilogramë provën e parë të cilën e realizoi me sukses me qetësi dhe pa u nxituar.

Gjithsesi duhet theksuar se në botërorin e Houston kishte ngritur 183 kg në shtytje, shifër së cilës provon ti avrohet në provën e dytë të cilën e kalon me sukses edhe pse duket se ka vështirësi për të realizuar provën e dytë rradhazi. Në tentativën e tretë Calja provon 184 kilogramë, një më shumë nga sa ngriti në botëror por ishte një tentativë e lënë në mes ende pa nisur mirë, një provë e çuditshme ndoshta duke ju trembur ndonjë dëmtimi të mundshëm në dorë. Në këtë mënyrë aventura në Rio 2016 për Briken Caljen u mbyll me 326 kilogramë në dygarësh, peshë kjo që i garantoi renditjen në vendin e 6 në Olimpiadë.

Aspak keq për 26-vjecarin e rikthyer para 9 muajsh nga një pezullim 2-vjecar dhe që i takoi të përfaqësonte peshëngritjen Shqiptare në Olimpiadë në ditët më të këqia të saj duke kujtuar këtu skandalin e dopingut që përfshiu sportistët elitarë shqiptarë të kësaj disipline pak kohë më parë.

Për sa i përket zonës së medaljeve, Arin në këtë Kategori e fitoi kinezi Shi Zhiyong me 352 kilogramë, medalja e argjendtë shkoi për turkun Daniyar Ismaylov me 351 kilogramë ndërsa në vendin e tretë u rendit peshëngritësi nga Kirgistani Izzat Artykov me 339 kilogramë në dygarësh.