Brezovica premton një shteg sfidues për garat malore në automobilizëm

Gara e gjashtë e këtij kampionati në Automobilizmin e Kosovës që u mbajt në shtegun e Brezovicës, e organizuar nga A.K. “Ferizaji” dhe FASK, si dhe e sponsoruar nga Eurogoma, dëshmoi se organizimi i një gare të një gjatësie afërsisht tetë kilometërshe, paraqet një sfidë si në aspektin organizimit, ashtu edhe për garuesit e në veçanti kur moti është në disfavor të tyre.
Si rezultat i motit me shi gjatë ditës së shtunë dhe pjesërisht gjate ditës së diel, në garën e Brezovicës erdhi deri te disa incidente “jo te rrezikshme”, respektivisht rrëshqitja nga shtegu e disa prej garuesve. Fatmirësisht, përpos dëmeve materiale nuk pati dëme tjera, megjithatë gara përfundoi me sukses dhe me rezultate që priteshin nga garuesit dhe klubet dominuese gjatë këtij kampionati.
Fitues absolut dhe njëherit fitues i kategorisë së pestë të kësaj gare dhe që vendosi rekordin e këtij shtegu, ishte garuesi Valdet Krasniqi me veturën Lancia HF Integrale, i pasuar nga garuesi Shkëlzen Lajqi me një diferencë kohore prej afërsisht tri sekonda me veturën Honda Type R, si dhe fitues i kategorisë së katërt që të dy garuesit nga A.K. "Prishtina R.T. që bindshëm është Autoklubi më i mirë i kësaj gare dhe i ‘Kampionatit EUROGOMA 2014’ i pasuar nga A.K. "Ferizaji" dhe "RCP". Ndërsa vendi i tretë në plasmanin gjeneral i takoi garuesit Gentian Kulla me veturën Honda Prelude A.K. "Drini".
Garuesi Besfort Bunjaku nga A.K. "Ferizaji" ishte fitues në kategorinë e pare.
Një befasi tjetër e kësaj gare ishte rikthimi i garuesit të njohur Ernest Daka nga A.K. "DTM Prishtina", i cili me veturën e tij Peugeot 106 Gr.N vendosi një kohë të shkëlqyeshme duke kaluar edhe kohën më të mirë të garuesit të një kategorie më të lartë (kategorisë së tretë) dhe njëherit zuri vendin e parë në kategorinë e dytë.
Ndërsa garuesi Përparim Dushi nga "A.K. Prishtina R.T." ishte fitues i kategorisë së tretë.
Garuesi Xhemshit Hasani me veturën e tij Opel Kadett nga A.K. "RCP" ishte fitues i kategorisë së gjashtë.

























































