eksperti-banner

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, dhe drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të forcimit të koordinimit institucional dhe avancimit të shkëmbimit të informacioneve ndërmjet dy institucioneve.

Sipas njoftimit, marrëveshja synon të mbështesë mekanizmat që kontribuojnë në stabilitetin, sovranitetin, integritetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe ekonomik në Kosovë.


Marrëveshja përcakton kornizën e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke krijuar bazë më të strukturuar për shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve relevante, koordinimin e aktiviteteve institucionale dhe mbështetjen e analizave që lidhen me stabilitetin financiar, zhvillimet makroekonomike, luftimin e ekonomisë joformale dhe parandalimin e veprimtarive që mund të cenojnë integritetin financiar dhe ekonomik të vendit.

Nga BQK-ja është vlerësuar se marrëveshja do të përmirësojë qasjen në informacione të rëndësishme për mbikëqyrjen financiare, analizat institucionale dhe vlerësimin e zhvillimeve në sektorin financiar.

Ndërkaq, për ATK-në, bashkëpunimi i ri pritet të lehtësojë administrimin tatimor, analizën e rrezikut dhe identifikimin më efikas të aktiviteteve joformale apo shmangieve fiskale.

Dy institucionet theksojnë se marrëveshja do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit ndërinstitucional, shmangien e fragmentimit institucional dhe koordinimin më të mirë në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Sipas njoftimit, aspektet teknike dhe procedurat për shkëmbimin e të dhënave do të rregullohen përmes procedurave standarde operative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

BQK dhe ATK kanë vlerësuar se ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e integritetit financiar, mbrojtjen e interesit publik dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, në një kohë kur sektori financiar po kalon procese të avancuara të digjitalizimit dhe integrimit në tregjet financiare evropiane.