eksperti-banner

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ndërsa ka nisur edhe numërimi i votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se në QNR ka filluar numërimi i fletëvotimeve të qytetarëve që votuan fizikisht në ambasada dhe konsullata.


Sipas tij, më 6 qershor votimi u zhvillua në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme. Nga 27.724 qytetarë të regjistruar për këtë formë votimi, votuan 22.860 persona, ose 82.46 për qind.

Ndërkohë, në QNR po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të pakove të votimit me postë, me qëllim të verifikimit nëse ato janë dërguar nga votues të regjistruar.

“Deri në fund të ditës së mërkurë janë shqyrtuar mbi 23.300 pako. Prej tyre, 22.601 janë aprovuar, ndërsa 755 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit është mungesa e dëftesës së regjistrimit, e konstatuar në 699 raste”, tha Elezi.

Ai theksoi se procesi i verifikimit ka nisur më 9 qershor dhe se pas përfundimit të tij KQZ-ja do të publikojë numrin përfundimtar të pakove që do t’i nënshtrohen numërimit.

Sipas KQZ-së, më 8 qershor është përmbyllur tërheqja e pakove të votimit me postë nga 23 kuti postare të vendosura në 22 shtete dhe në Kosovë. Nga këto kuti janë tërhequr më shumë se 85.700 pako të supozuara me fletëvotime.

Numri i qytetarëve të regjistruar për votim me postë në këto zgjedhje ka qenë 104.480.

Sa i përket procesit të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, Elezi bëri të ditur se deri të enjten në orën 16:00, verifikimi dhe numërimi kanë përfunduar në 35 nga 38 qendra komunale.

Nga gjithsej 2.498 vendvotime, janë procesuar 2.271, ose 90.91 për qind.

Sipas KQZ-së, procesi tashmë është përmbyllur në komunat Junik, Shtërpcë, Hani i Elezit, Partesh, Mamushë, Zubin Potok, Zveçan, Kllokot, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Ranillug, Mitrovicë e Veriut, Deçan, Dragash, Kamenicë, Graçanicë, Klinë, Viti, Kaçanik, Rahovec, Leposaviq, Istog, Skenderaj, Malishevë, Drenas, Lipjan, Pejë, Podujevë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Suharekë, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë.

Procesi i numërimit dhe verifikimit vazhdon ende në tri komuna: Gjilan, ku janë procesuar 94 nga 127 vendvotime, Prizren, me 167 nga 232 vendvotime të përfunduara, dhe Prishtinë, ku janë numëruar 133 nga 262 vendvotime.

KQZ ka bërë të ditur se rezultatet po publikohen në mënyrë të vazhdueshme në platformën zyrtare të rezultateve, menjëherë pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim.