LAJMI I FUNDIT:

Bota G-Zero: Shenjat që tregojnë se kemi mbetur pa lider botëror!

Bota G-Zero: Shenjat që tregojnë se kemi mbetur pa lider botëror!

Pax Americana apo roli stabilizues që e luante fuqia e madhe amerikane, nuk është siç ishte dikur. Tash po futemi në Epokën G-Zero ku asnjë vend apo grup vendesh nuk është gati të marrë përgjegjësi për udhëheqje globale. Revista Time e pasqyron këtë gjendje përmes pesë shembujve, transmeton Telegrafi.

1. FYTYRA E VËRTETË E BREXIT-IT

Bota me dekada i afrohej G-Zeros, por Brexit-i e përshpejtoi këtë proces. Brexit-i jo vetëm që errësoi fuqinë e projektit më ambicioz politik në histori, atë të Bashkimit Evropian, por dëmtoi Aleancën transatlantike që për mbi 70 vite e ruajti rendin global. Shtetet e Bashkuara kanë mundur të veprojnë si ndërmjetës në negociatat e Brexit-it, ose të paktën të ndihmojnë në zbutjen e pasojave nëse gjërat shkojnë keq. Por, presidenti amerikan, Donald Trump, mendjen e kishte diku tjetër, ndërsa me përbuzjen e hapur ndaj gjermanëve dhe përpjekjet e dëshpëruara të Britanisë për ta ruajtur Amerikën si aleat, gjithnjë e më shumë po ndahet kontinenti nga bota anglofone. Ajo që është më me rëndësi është se dy vitet e ardhshme të negociatave për Brexit-in do ta shkëpusin Evropën nga zgjidhja e problemeve tjera. Rezultat do të jetë fragmentimi i madh i Aleancës perëndimore dhe thellimi i G-Zeros.

2. DOBËSIMI I NENIT 5 TË NATO-S

Trumpi në fushatën e tij presidenciale goditi publikisht 23 anëtarë të NATO-s për dy-përqindëshin e dakorduar të GDP-së për mbrojtjen. Ndërkaq, më vonë kundërshtoi Nenin 5 të NATO-s, pra klauzolën e mbrojtjes që është shtylla qendrore e marrëdhënieve transatlantike. Në fund të javës së kaluar, Trump reagoi ndaj kritikave të mungesës së vullnetit të tij që gjatë takimit të G7-shit, disa javë më parë, të konfirmojë angazhimin tradicional të Washingtonit ndaj Nenit 5. Dëmi u bë. Me qasjen më të butë ndaj Moskës – më shumë se çdo paraardhës i tij – ai tash dyshon në angazhimin amerikan në mbrojtjen kolektive transatlantike, duke i lënë qeveritë evropiane që të gjejnë përgjigjet dhe duke ia hapur dyert Rusisë të testojë më shumë vendimet e NATO-s.

3. RIBALANCIMI I TREGTISË BOTËRORE

Në Azi, vendimi për t’u tërhequr nga tregtia e Partneritetit Transpacifik (TPP), solli fitoren më të madhe të Kinës ndaj SHBA-ve. Me Shtetet e Bashkuara TPP do të caktonte 40 për qind të GDP-së botërore dhe një të tretën e tregtisë botërore, duke i dhënë ndikim më të madh SHBA-ve në vendet në partneritet dhe jetët e tyre politike dhe ekonomike. Kjo po ashtu do të shtonte praninë dhe rëndësinë amerikane në Azinë Lindore dhe Juglindore. Tani presidenti kinez, Xi Jinping, premton të marrë drejtimin e “tregtisë e lirë” në Partneritetin Rajonal Ekonomik (RCEP). RCEP mbulon 46 për qind të popullsisë së botës dhe 24 për qind të GDP-së globale, por integrimi i tregtisë është më i ultë se në TPP. Megjithatë, e rëndësishme është simbolika: vendet rajonit e dinë se Kina mbetet pas tërheqjes amerikane. Por, befasuese është shpejtësia me të cilën qasja amerikan ndryshoi në rajon. Tërheqja e SHBA-ve nga TPP vë dyshime për bilancin e ardhshëm të pushtetit në Azi, sidomos në këto kohë të paqëndrueshme, transmeton Telegrafi.

4. ‘ÇARJA’ E PARË NË MARRËVESHJEN E PARISIT

G-Zero nuk do të jetë përherë në fuqi, por do të ketë implikime afatgjata. Ndaj ndryshimeve klimatike nuk ka pasë reagime të duhura as para G-Zeros, por mungesa e udhëheqjes globale i dha Trumpit mundësi të tërheq Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje e rëndësishme globale. Veç dy vende nuk kanë qenë pjesë e Marrëveshjes së Parisit: Nikaragua dhe Siria. Tash edhe SHBA-të! Trumpi u tërhoq nga marrëveshja që synon ta shpëtojë botën nga pasojat katastrofale, për të ruajtur ekonominë e vendit. Kjo është fitore e nevojshme për elektoratin e tij, por në botën G-Zeros dëmi i një vendi është fitore e tjetrit.

5. THELLIMI I KRIZËS NË LINDJEN E MESME

Lindja e Mesme ishte kaotike edhe kur SHBA-të vepronin në rajon. Por, është më kaotike kur amerikanët nuk përfshihen. Kjo u bë e qartë për ISIS-in që mbushi boshllëkun në Irak dhe Siri. Sidoqoftë, stabiliteti rajonal merr kthesë të papritur nga veprimet e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara, Egjiptit dhe Bahrejnit që ndërprenë lidhjet me Katarin. Katari ka kohë që ka inatosur Arabinë Saudite dhe aleancën e saj të Gjirit me qëndrimin neutral ndaj Iranit dhe Vëllazërisë Myslimane. Mbulimi i konfliktit në rajonin nga Al-Jazeera – gjiganti mediatik në pronësi të Katarit – është shtytje për acarim. Derisa ish-presidenti amerikan, Barack Obama, tentoi të balanconte rivalitetet rajonale, Trumpi me vizitën e tij të fundit në Arabinë Saudite i dha sinjale këtij shteti të dëshmojë lidershipin në rajon. Kjo do të thotë se në Lindjen e Mesme mund të shtohet agresiviteti mes shteteve. /Telegrafi/