LAJMI I FUNDIT:

Skandaloze! Me borxh në Botëror!

Skandaloze! Me borxh në Botëror!

Përfaqësuesja e Kosovës është detyruar të marrë para borxh, për të udhëtuar drejt Estonisë, ku do të mbahet Botërori i tenisit, respektivisht Davis Cup. Kryetari i Federatës së Tenisit, Shkëlzen Domi, thotë se ky institucion s’kishte para për këtë eveniment dhe u detyrua t’i marrë hua, derisa Ministria e Sportit t’i deponojë në konton e FTK-së

Përfaqësuesja e Kosovës do të marrë pjesë në evenimentin më të madh të tenisit për shtete, Davis Cup, respektivisht Botërorin e tenisit për Reprezentacione, Grupi III, që do të mbahet në Tallin të Estonisë, nga 2 deri më 5 mars.


Mirëpo, debutimi i ekipit kosovar është përshkuar me telashe dhe probleme, të cilat mund t’i gjesh vetëm në vendin tonë.

Në fakt, Federata e Tenisit e Kosovës (FTK), në pamundësi për të siguruar mjete për delegacionin e Përfaqësueses, është detyruar të marrë borxh, në mënyrë që ekipi pesanëtarësh, përfshirë këtu tenistët Hyda Banjska, Granit Bajraliu, Gurash Hasani e Meldin Mustafi, si dhe trajneri Jeton Hadërgjonaj, ta marrin rrugën të hënën drejt Estonisë, ku do të mbahet ky eveniment prestigjioz i tenisit.

“Ne kishim probleme me financa, si zakonisht, prandaj jemi detyruar të marrim borxh për ta siguruar udhëtimin e tenistëve tanë. Ministria e Sportit nuk na ka ndarë ende mjetet, shpresojmë ta bëjnë këtë sa më shpejt, pasi na duhet ta kthejmë borxhin”, shprehet për “Zërin” kryetari i FTK-së, Shkëlzen Domi.

Por, përse nuk shkoi ndonjë zyrtar i Federatës në Tallin, ose vetë kreu i saj? “Ne mezi i bëmë paratë për katër tenistë, e lëre më të shkojë dikush tjetër”, vazhdoi ai.

Kosova ambicioze

Në Davis Cup do të marrin pjesë 16 Përfaqësuese, të ndara në katër grupe. Kosova do t’i mësojë emrat e tre kundërshtarëve sot. Siç njofton Domi, Përfaqësuesja do t’i zhvillojë dy meçe “single” dhe një “double”. Ai beson në tenistët e përzgjedhur nga trajneri Hadërgjonaj. “Për ne, më e rëndësishmja është pjesëmarrja, pasi jemi në Davis Cup për herë të parë. Nëse e fitojmë një lojë, për ne do të ishte sukses i madh. Ne nuk kemi salla adekuate për të ushtruar gjatë dimrit dhe tenistët në Kosovë pauzojnë gjatë, duke e pritur përmirësimin e motit. Prandaj, realisht, nuk mund të presim më shumë, pasi nuk kemi shumë kualitet, në krahasim me vendet tjera. Mirëpo, motivimi nuk mungon dhe do të mundohemi ta bëjmë më të mirën”, nënvizoi Domi. Përpos Kosovës, në këtë eveniment do të marrin pjesë edhe Shqipëria, Andorra, Armenia, Qipro, Estonia, Maqedonia, Greqia, Islanda, Irlanda, Lihtenshtajni, Malta, Moldavia, Mali i Zi e San Marino.

Shqipëria do të prezantohet me tenistët: Flavio Dece, Arbër Sulstarova, Genajd Shypheja e Mario Zili, ndërsa trajner do të jetë Fatos Nallbani.

Dy skuadrat më të mira nga 16 pjesëmarrëse do të kalojnë në Grupin II, ku marrin pjesë ekipe më të forta. Kosova bën pjesë në vazon e katërt para shortit, së bashku me Shqipërinë, Andorrën e Azerbajxhanin.

Një boshnjak në Përfaqësuese

Përfaqësuesja e Kosovës do të garojë në nivelin e tretë të garave të Davis Cup. Në skuadrën kosovare është përfshirë edhe një tenist boshnjak. Bëhet fjalë për Meldin Mustafin, i cili bëhet tenisti i parë joshqiptar që e përfaqëson Kosovën. Ai ka premtuar se do ta japë më të mirën për vendin e tij, siç e ka konsideruar Kosovën. Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, serbja Marija Djordjevic e ka refuzuar ftesën e Kosovës për të marrë pjesë në Fed Cup, i cili mbahet në muajin prill. Trajneri Arben Fetahu nuk e ka publikuar ende listën e të ftuarave. Një gjë të tillë do ta bëjë pasi ta mbajë një turne gjatë këtij muaji, ku edhe do t’i zgjedhë katër më të mirat. /zeri/