Bojkot kundër bojkotit!

Jemi keqkuptuar kur i kemi mëshuar idesë së integrimit drejt Bashkimit Evropian. Së pari, është keqkuptuar politika e më pastaj edhe vetë populli. E nëse kemi pranuar kompromisin e madh të integrimit -i cili do të na kushtojë jo pak- atëherë duhet të jemi të denjë për të qenë si evropianët. Në këtë rrugë të nisur, politika shqiptare duket se është ende larg, për arsyen e thjeshtë se të bërit politik në BE, do të thotë mirëkuptim, e para se të gjitha iniciativa për të qenë sa më pranues tek qytetarët. Duke qenë se pushteti buron tek njeriu i thjeshtë, atëherë politikanët, atë që kanë marrë në dorë përgjegjësitë, jo vetëm duhet të jenë të kujdesshëm, por duhet të jenë të gatshëm kurdo kohë për t’iu përgjigjur nevojave qytetare.
A është politika shqiptare garant e këtyre nevojave? Për të qenë korrekt, ende jo, por jo gjer në nihilizëm. Politika shqiptare nuk është korrekte në sjelljen e saj, e aq më tepër të jetë korrekte ndaj rregullave demokratike të qytetarisë. Zhurmënaja e ditëve të fundit janë një pasqyrë e keqe e integrimit, çka në dukje ka sjellë shqetësim edhe tek diplomatët perëndimorë në Tiranë. Pavarësisht thirrjeve të tyre, të cilat janë përsëritur shpesh në këtë bulevard politik të pa edukuar, duket se kryepolitikanët janë moskokëçarës. Avazi i vjetër vazhdon, ku zgjidhjet e të gjitha çështjeve, detyrimisht duhet të bëhen me dhunë. Të njëjtën gjë po kërkon edhe shefi i opozitës, Edi Rama. Përballë kryetarit të Partisë Demokratike, i cili për ironi të fatit qëndron në pushtet, Rama ka zgjedhur rrugën për të zgjidhur pretendimet e tij.
Sa do të zgjasin protestat? Edhe në 2010, të paktën kështu deklaron Rama në mitingjet e ditëve të fundit. Edhe vitin tjetër do të kemi të njëjtin avaz, të njëjtën histori, të njëjtin film ashtu sikurse edhe Berisha e përsëriste dikur dhe në fund kthim në Parlament. Duket se edhe Rama po ndjek të njëjtin skenar. Dhe në mos jo, le t’i vazhdojë protestat edhe në 2011 e më tej. Veçse kam frikë se pranë tij do të mbeten vetëm “ushtarët”, ashtu sikurse ka ndodhur më parë me Berishën. Duket se protestat do të kthehen në bumerang për partinë më të madhe në opozitë. Dimri po afron dhe lodhja e shqiptarëve në anën tjetër, do të jenë vetëm “qirinj të fikur” për Partinë Socialiste.
Të gjithë ata, edhe simpatizant të flaktë qofshin do të ndjenjë një moment lodhje nga e gjithë kjo histori protestash, që në Bashkimin Evropian -bregu ku pretendon të na çojë politika shqiptare-protestojnë vetëm organizata dhe jo partitë politike. Protesta është arma e atyre qytetarëve për të ndikuar tek politika, ndërsa në vendin tonë është arma e politikës kundër politikës. Dhe në këtë pikë, edhe qytetari e ka humbur sensin e arsyes dhe arsyen e protestës, duke u shndërruar kësisoj në një makinë që përdoret nga një grusht politikanësh, shpesh në kundërshtim me vetë qytetarët. Ndaj, një qytetar i moderuar, ai që e di saktësisht rolin e tij në këtë qytet, duhet të bojkotojë vetë bojkotin e Partisë Socialiste, duhet të bojkotojë mitingjet gjoja festive të Partisë Demokratike.
Më në fund, pasi ta ketë kuptuar rolin e vet, ai (qytetari) duhet të dalë të protestojë qoftë edhe i vetëm kur të drejtat e tij nëpërkëmben, kur jeta e tij vështirësohet dhe kur politika sillet me përbuzje. Vetëm atëherë do të jemi pjesë e integrimit, sepse kjo që bëjmë tani është kundër kësaj rrjedhjeje; sepse integrim do të thotë atëherë kur politika është në shërbim të qytetarit dhe jo qytetari në shërbim të politikës.
Qytetari shqiptar s’e ka kuptuar ende këtë, sepse kur ta kuptojë, do të jetë më shumë indiferent ndaj protestave të rrugës, sigurisht edhe ndaj mitingjeve pa arsye.



































