LAJMI I FUNDIT:

Bislimi dhe Li diskutojnë për problemet ekonomike e sociale të Kosovës

Bislimi dhe Li diskutojnë për problemet ekonomike e sociale të Kosovës

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka pritur në takim zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bo Li.

Në takim u bisedua mbi sfidat dhe prioritetet e Qeverisë, ku pati theks të veçantë në masat e ndërmarra për lehtësimin e efekteve të krizës së shkaktuar nga agresioni dhe pushtimi rus në Ukrainë dhe mbështetja e shtresave të shoqërisë të cilat janë më të prekura.


Sa i përket krizës energjetike, që po prek edhe Kosovën sikurse pjesën më të madhe të botës, u veçuan masat e ndërmarra nga Qeveria për kursim dhe subvencionim të energjisë elektrike. Për të përballuar krizën e shkaktuar në këtë sektor, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, u ndanë dhe 19 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, si dhe 6 milionë euro, për zbatim të masave të efiçiencës së energjisë.

Gjithashtu, u përmend dhe dyfishimi së fundmi i pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për muajin shtator 2022, mbështetja e vazhdueshme për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, në kuadër të vazhdimit të zbatimit të masave të parashikuara në Pakon e Ringjalljes Ekonomike.

Bo Li përgëzoi Qeverinë për ndërmarrjen e masave në kohën e duhur, për të zvogëluar ndikimin te qytetarët të krizës me të cilën po përballet Evropa përmes mbështetjes së synuar dhe për të ruajtur stabilitetin makro-fiskal. Ai e vlerësoi pozitivisht vendimin e Qeverisë për moslejimin e tërheqjes së fondeve pensionale nga Trusti, që do të minonte sistemin pensional. /Telegrafi/