LAJMI I FUNDIT:

Bislimi: Sulmi sikur ai i Banjskës mund të përsëritet, duhet të jemi të gatshëm

Bislimi: Sulmi sikur ai i Banjskës mund të përsëritet, duhet të jemi të gatshëm

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar për mediumin ukrainas “European Pravda” se një sulm i ngjashëm si me atë në Banjskë, mund të përsëritet sërish.

Ai ka shtuar se Kosova duhet të jetë gati për luftë.


“Nëse shikoni zhvillimet nga ana e Serbisë, gjithmonë mund të llogaritni me një konflikt potencial, dhe ka disa elemente që tregojnë se kjo mund të jetë e mundur. Kjo do të thotë se jemi gjithmonë të kujdesshëm, gjithmonë llogarisim me skenarin më të keq të mundshëm, por ne besojmë se prezenca e KFOR-it, trupave të NATO-s në Kosovë, mund të ndalojë këto tensione nga Serbia në të ardhmen e afërt, por gjithmonë është e mundur”, ka deklaruar Bislimi.

Ndërkaq siç shkruan mediumi ukrainas, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci  ka theksuar se sulmi në Banjskë më 24 shtator mund të kishte sjellë më tepër viktima, shkruan Telegrafi.

Ai ka shtuar se serbët që sulmuan në Banjskë ku u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishin të stërvitur dhe kishin synim pushtimin e veriut.

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë
Lexo po ashtu Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

“Kjo situatë tregoi se jetët e të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht nga etnia, janë të rëndësishme për ne. Sulmi ndaj manastirit mund të kishte çuar në viktima të shumta civile, kështu që ne duhet ta braktisnim atë,” thotë Maqedonci.

Ministri  i Mbrojtjes tutje ka thënë se sulmi në Banjskë ishte, si një tentim për të pushtuar veriun e Kosovës.

“Ata kishin armë që janë në shërbim të ushtrisë serbe – për më tepër, këta njerëz ishin të trajnuar posaçërisht, duke jetuar në kazermat e ushtrisë serbe. Duket se kishim të bënim me një tentim sulmi hibrid për të pushtuar veriun e Kosovës – diçka e ngjashme me atë që bëri Rusia në 2014 në Krime dhe Donbas”, ka theksuar ai.

Bislimi shton se ka arsye të besohet gjithashtu se Rusia ishte direkt e përfshirë në sulm.

“Në jug të Serbisë, në qytetin e Nishit, i cili nuk është larg nga kufiri me Serbinë, ka një qendër humanitare ruse e quajtur “Qendra Humanitare Ruse”, e cila është angazhuar zyrtarisht në sigurinë nga zjarret, por askush nuk ka parë ndonjë rezultat të punës së saj,” ka deklaruar ai.

Zëvendëskryeministri ka theksuar se është e rëndësishme që perëndimi të pajtohet provat që ky ishte një sulm hibrid që kishte rrënjët e tij në udhëheqjen më të lartë të Serbisë. /Telegrafi/