LAJMI I FUNDIT:

Bie numri i miliarderëve që jetojnë në Londër, pasuria e tyre zbritet në terma realë

Bie numri i miliarderëve që jetojnë në Londër, pasuria e tyre zbritet në terma realë

“Festa ka mbaruar” për të pasurit e Londrës, pasi lista e të pasurve për vitin 2023 tregon se numri i miliarderëve britanikë ra këtë vit për herë të parë që nga kriza financiare 2007-2008.

Sipas listës së Sunday Times, për këtë vit janë 171 miliarderë në Britani të Madhe, gjashtë më pak se vitin e kaluar.


Pasuria e tyre e kombinuar u rrit me 790 miliardë euro, por në një kohë kur inflacioni në vend shkon në 4.5 për qind, është e qartë se në terma realë, miliarderët e Londrës janë bërë disi më të varfër.

Ky është një ndryshim i rëndësishëm pas më shumë se një dekade, e cila ishte epoka e artë e pasurisë në Britani. Gjatë kësaj kohe, klubi i miliarderëve të vendit po zgjerohej dhe pasuria e tyre rritej gjithnjë e më shumë.

Nga të dhënat e analistëve dhe vetë miliarderëve, mjedisi aktual ekonomik është i ri, i formuar nga fundi i normave shumë të ulëta të interesit, shpërthimi i një flluske të dytë teknologjike dhe shqetësimet për industrinë bankare. Dhe ndërsa lajmet për rënien e pasurisë së miliarderëve mund t’i pëlqejnë disave në një kohë të pabarazisë në rritje, media britanike kujton se situata e krijuar ka pasoja për të gjithë.

Anëtarët e listës së të pasurve nuk funksionojnë në vakum: miliarderët dhe multimilionerët e kujdesshëm kanë më pak gjasa të fillojnë biznese të reja që krijojnë vende pune.

Dhe kur aksionet e kompanive të miliarderëve bien, fondet e sigurimeve dhe investitorët e tjerë gjithashtu pësojnë humbje.

Megjithatë, njeriu më i pasur në Britani këtë vit është Gopi Hinduja dhe familja e tij. Pas vdekjes së vëllait të tij të madh Sri disa ditë më parë, Gopi me origjinë indiane kryeson perandorinë e biznesit familjar, e cila ka interesa në industri, financa, energji dhe IT. /Telegrafi/