LAJMI I FUNDIT:

Biden thotë se nuk do të furnizojë me armë Izraelin nëse kryen ofensivë në Rafah

Biden thotë se nuk do të furnizojë me armë Izraelin nëse kryen ofensivë në Rafah

Presidenti amerikan Joe Biden ka vendosur vijën e tij të kuqe me Izraelin, duke paralajmëruar publikisht për herë të parë se SHBA do të ndalojë furnizimin me armë nëse forcat izraelite kryejnë një ofensivë në shkallë të plotë në Rafah.

“E kam bërë të qartë se nëse ata shkojnë në Rafah… Nuk do të furnizoj me armët që janë përdorur historikisht për t’u marrë me Rafah, për t’u marrë me qytetet”, tha ai për CNN.


Kjo është gjuha e tij më e ashpër e përdorur deri më tani për këtë çështje, megjithëse SHBA e ka bërë të qartë se nuk e mbështet Izraelin që të kryejë një ofensivë në qytetin jugor të Gazës.

Ai pranoi se armët amerikane janë përdorur tashmë nga Izraeli për të vrarë civilë në Gaza, transmeton Telegrafi.

“Civilët janë vrarë në Gaza si pasojë e atyre bombave dhe mënyrave të tjera në të cilat ata shkojnë”, tha ai kur u pyet për bombat 2000 kilogramëshe të dërguara në Izrael.

Gjithashtu u raportua dje në mëngjes se SHBA kishte pauzuar një dërgesë me bomba në Izrael javën e kaluar.

Komentet e fundit nga presidenti amerikan shënojnë një përçarje në rritje midis Amerikës dhe Izraelit, të cilët historikisht kanë qenë aleatë të fortë.

Biden tha se SHBA do të vazhdojë të sigurojë armë mbrojtëse për Izraelin, duke përfshirë sistemin e tij të mbrojtjes ajrore Iron Dome.

“Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që Izraeli të jetë i sigurt për sa i përket Iron Dome dhe aftësisë së tij për t’iu përgjigjur sulmeve që dolën nga Lindja e Mesme kohët e fundit”, tha ai.

“Por është, është thjesht gabim. Ne nuk do të bëjmë – nuk do ta furnizojmë me armët dhe predhat e artilerisë”, shtoi Biden. /Telegrafi/