LAJMI I FUNDIT:

Besimi: Qytetarët e Kosovës të gatshëm për shërbimet bankare online, pandemia ka rritur përdorimin e tyre

Koordinatorja për Edukim Financiar në Shoqatën e Bankave të Kosovë, Anesa Besimi në një intervistë për Telegrafi.com me gazetarin Albert Spahiu, ka thënë se pandemia COVID-19 ka rritur përdorimin e shërbimeve bankare online.

Besimi ka thënë se, qytetarët e Kosovës janë të gatshëm t’i përdorin këto shërbime që ofrohen nga bankat komerciale ne vend.


“Situata e pandemisë COVID-19 ka krijuar që të ndryshohen shprehitë e qytetarëve, veçanërisht edhe te ne në Kosovë ku janë bërë më të ndërgjegjshëm me përdorimin e shërbimeve bankare, veçanërisht e-banking dhe atyre online. Është një trend i mirë që të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë qasje në internet janë më të gatshëm në përdorimin e shërbimeve që ofrojnë bankat komerciale në vend”, thotë Besimi.

Në kudër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, e cila do të mbahet nga data 22 deri 28 mars, ajo tha se fokusi i kësaj jave do të jetë edukimi financiar për grup-moshat e reja.

“Java e Parasë është javë botërore e ndërgjegjësimit për financat dhe çështjet e parave, për të rinjtë që nga mosha e hershme të janë të vetëdijshëm financiarisht dhe gradualisht të fitojnë njohuri, aftësi dhe sjellje të nevojshme për të marr vendime të shëndosha financiare për të ardhmen e tyre. Sivjet Java e Parasë do të mbahet nga datat 22 deri 28 mars. Motoja e sivjetshme e kësaj jave është ‘Kujdesu për vetën, kujdesu për financat tua’, ku për shkak të gjendjes me pandemi, Shoqata e Bankave të Kosovës ka vendosur që t’i promovoj aktivitetet në mënyrë virtuale”, tha ajo.

Besimi tregon se edukimi financiar krijon shprehi për menaxhimin e financave private të të secilin qytetarë.

“Edukimi financiar për një qytetar të Kosovës është pasi që sa më shumë njohuri që ka për paranë, atëherë ai ka shprehi më të mira për menaxhimin e financave të veta të kursimeve dhe planifikim më të mirë të së ardhmes së tij. Lidhur me përdorimin e shërbimeve bankare nga ana e qytetarëve do të na informojnë më shumë përfaqësuesit e bankave komerciale në vend, në forumin e Javës Ndërkombëtare të Parasë”, tregon Besimi.

Në këtë intervistë, ajo ka ftuar të gjithë nxënësit e klasave të gjashta deri në të nëntën që të marrin pjesë në garën me ese lidhur me këtë javë. /Telegrafi/