LAJMI I FUNDIT:

Beqaj paralajmëron hapjen e katër Qendrave Inovative në Kosovë

Beqaj paralajmëron hapjen e katër Qendrave Inovative në Kosovë

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, i cili drejton një dikaster të ri qeveritar të krijuar nga Qeveria Haradinaj ka paralajmëruar se vitin që vjen do të hapen katër qendra inovative dhe të Ndërmarrësisë. Ai tha në programin e mëngjesit në RTK se fillimisht do të startohet me hapjen e Qendrës Inovative dhe të Ndërmarrësisë në Prizren, pastaj do të vazhdohet në Mitrovicë, Pejë dhe Prishtinë.

Ministri Beqaj tha se hapja e këtij dikasteri të ri qeveritar është një mundësi e mirë për të rinjtë dhe sipas tij ndërmarrësia është një nga motorët tanë për zhvillimin e vendit.”Është një ministri kreative e cila do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat. Kemi një trend në botë që është u duke u zhvilluar me ekonomi digjitale, prandaj ka qenë shumë e nevojshme që edhe Kosova ta ketë një ministri të inovacionit dhe ndërmarërsisë”, tha ai për RTK.


Beqaj, ndërkaq bëri të ditur se me buxhetin e planifikuar nga Qeveria e Kosovës parashihet që ministria të cilën e drejton t’i ketë mbi 11 milionë euro. “Të rinjtë e Kosovës duhet të jenë të gatshëm për tregun e punës dhe se synim i kësaj ministrie është që ta lidhim teorinë me praktikën”, tha ministri Besim Beqaj.

Ai tha se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nuk do të merret me procedurat administrative, por se do të merremi me avokimin e ideve për zhvillimin ekonomik

Ndryshe, Programi i Qeverisë i Republikës së Kosovës 2017-2021 i hartuar nga Qeveria Haradinaj ka treguar edhe për objektivat e kësaj ministri se me çka do të merret.

Sipas këtij programi, synimi i Qeverisë është stimulimi i aktiviteteve inovative në Kosovës të cilat do të jenë të lidhura ngushtë me ndërmarrësin dhe me fushat e tjera të ekonomisë. /Telegrafi/