LAJMI I FUNDIT:

Beqaj: Gjermania është donatori më i madh financiar në Kosovën e pasluftës

Beqaj: Gjermania është donatori më i madh financiar në Kosovën e pasluftës

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deklaroi sot se pret nga Gjermania përkrahjen në proceset integruese të vendit tonë dhe rritjen e mbështetjes ekonomike, në veçanti në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Gjatë takmit ministri Beqaj dhe ambasadori Heldt, biseduan për realizimin në praktikë të marrëveshjes për bashkëfinancim të projekteve inovative në mes të MIN-së dhe GIZ-it, si dhe funksionalizimi i Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.


Ministri Beqaj me këtë rast falënderoi Qeverinë e Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, në veçanti për gatishmërinë për të bashkëpunuar me Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në përkrahjen e projekteve inovative, jetike për ekonominë e Kosovës.

“Gjermania është donatori më i madh financiar në Kosovën e pasluftës. Këtë trend të bashkëpunimit po e mbajmë dhe po synojmë ta rrisim me Ambasadorin e Gjermanisë SHT z. Christian Heldt në rritjen e kapaciteteve të sektorit privat në Kosovë. Do të vijojmë të punojmë me një agjendë të përbashkët për suksese të mëtutjeshme”, tha ministri Besim Beqaj.

Beqaj po ashtu e njoftoi ambasadorin gjerman edhe me të arriturrat e Ministrisë që nga themelimi, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së sektorit privat për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe digjitalizim të ekonomisë së vendit në hap me trendet globale ekonomike, fushë në të cilën po jep kontribut të rëndësishëm edhe shteti gjerman. /Telegrafi/