Bellingham reagon për përfshirjen në skuadrën e Anglisë për Kupën e Botës

Mesfushori Jude Bellingham është përfshirë në listën e përfaqësueses së Anglisë që do të marrë pjesë në Kupën e Botës, ndërsa pritet të jetë një nga lojtarët kyç në skuadrën e drejtuar nga Thomas Tuchel.
Për 22-vjeçarin, ky do të jetë Botërori i dytë në karrierë, pasi ishte pjesë edhe e edicionit të vitit 2022.

Pas publikimit të listës, Bellingham reagoi në rrjetet sociale duke ndarë emocionet e tij për këtë moment të rëndësishëm.
“Turneu i katërt madhor, Kupa e Botës numër dy. Fëmija në fotografinë e fundit nuk do ta kishte besuar kurrë këtë! Pikërisht për këtë arsye nuk e marr asnjë ftesë si të mirëqenë. Aq më pak një ftesë që më jep mundësinë të përfaqësoj vendin dhe familjen time në skenën më të madhe”.

“Ka qenë një vit i vështirë, por ndiej se jam në një moment të mirë dhe gati të jap gjithçka për Anglinë edhe një herë. Tifozë të Anglisë, mezi pres t’ju shoh në SHBA”, ka shkruar ai.
Bellingham vjen në këtë turne pas një sezoni solid me Real Madridin, ku gjatë edicionit 2025/26 ka zhvilluar 39 paraqitje, duke realizuar pesë gola dhe shtatë asistime. /Telegrafi/









































