Belegu: FBK e paanshme në zbatimin e rregullave

Ai thotë se Kosova ka arritur suksese të jashtëzakonshme gjatë këtij viti, ndërsa një përfundim i tillë i edicionit e vë basketbollin e Kosovës në pozitë të palakmueshme para FIBA-s, Ligës Ballkanike (BILB), sponsorëve, partnerëve dhe opinionit të gjerë, por edhe minimizon mundin e secilit anëtar, të tashëm apo të dikurshëm të FBK-së, për të arritur deri në nivelin ku është sot federata, raporton ‘koha.net’.
“Nuk ndodh shpesh që federatat të jenë të detyruara që të marrin vendime për përfundimin e serisë finale jashtë terrenit. Sidoqoftë, kam besim të plotë në organet e FBK-së, profesionalizmin dhe objektivitetin e tyre dhe jam i bindur se vendimet e tyre janë ato të duhurat dhe të bazuara në propozicionet e garave dhe aktet tjera normative të zbatueshme për Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe të gjithë anëtarët e saj”, thuhet në komunikatën e Belegut në uebfaqen e federatës.
Numri një i basketbollit kosovar ka sqaruar përfshirjen e tij në rastin e djeshëm të ndërprerjes së takimit duke thënë se ka provuar të bind ekipin e Pejës që të kthehet në fushë.
Belegu thotë se FBK-ja do të jetë e pakompromisë dhe e paanshme në zbatimin e rregullave të lojës së basketbollit.
“Përfundimi i këtillë i këtij edicioni është i dhimbshëm për të gjithë ne në Federatën e Basketbollit të Kosovës, por siç kemi dëshmuar shumë herë deri tani, ne duhet të jemi të pakompromis dhe të paanshëm në zbatimin e rregullave të lojës dhe akteve normative të FBK-së dhe FIBA-s të cilat i shërbejnë mbarëvajtjes së organizimit të sportit tonë të zemrës”, thotë ai.
Në fund, ai tha se Kosova duhet të mbetet e përkushtuar në krijimin e ambientit adekuat për zhvillimin e basketbollit. /Telegrafi/



















































