LAJMI I FUNDIT:

​Begaj: Marrëveshja në Ohër tregon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë më e mirë

​Begaj: Marrëveshja në Ohër tregon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë më e mirë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në takim anëtarët e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me të cilët mbajti një leksion mbi objektivat strategjike të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Me këtë rast, Begaj vlerësoi Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes si një nga kurset më të mira në piramidën e arsimit ushtarak të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.


“Situata gjeopolitike globale është komplekse dhe mendoj që kjo situatë komplekse do të përcaktojë se si do të jetë e ardhmja në dekadat e mëpasshme. Ambienti ndërkombëtar i sigurisë dominohet nga sfidat strategjike që janë të ndërthura me njëra-tjetrën, të cilat kanë sjellë implikime jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por edhe për atë ndërkombëtare.”, tha ai.

Begaj, vëmendje i kushtoi rëndësisë së vendosjes së dialogut të përhershëm dhe normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se arritja e marrëveshjes midis dy vendeve ishte një moment kyç dhe po ashtu ngjarja në Ohër e anekseve ishte një arritje që tregon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë shumë më e mirë.

“Rajoni i gjithi ka bërë progres në rrugëtimin euro-atlantik por ka shumë hapësira dhe situata, ka potenciale paqëndrueshmërie. Për ne, për Shqipërinë është shumë e rëndësishme vendosja e një dialogu të përhershëm dhe normalizimi i marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dialog, i cili i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të qendërzohet në atë që ne e quajmë njohjeN formale reciproke. Arritja e marrëveshjes midis dy vendeve ishte një moment kyç dhe po ashtu ngjarja në Ohër e anekseve ishte një arritje, e cila tregon që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë shumë më e mirë.”, tha Begaj.

Begaj foli dhe për kontributin e Shqipërisë në misione të ndryshme në botë, me ç’rast tha se Shqipëria ka qenë kontributore, eksportuese e sigurisë.

Ndryshe, më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia janë takuar në Ohër, ku janë pajtuar për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.