Penza është skuadra e vetme e femrave që përfaqëson Pejën në sportet kolektive. Ajo është kampione e katërfishtë e Kosovës në basketboll, ka fituar edhe pesë kupa, por asnjë sukses nuk bën punë.

Kjo skuadër është në gjendje të mjerueshme, sikur edhe skuadrat e tjera të basketbollit në Kosovë në konkurrencën e femrave.


ETC Superliga numëron 11 skuadra të femrave këtë stinor, por asnjë nuk është në gjendje të mirë. Rrogat për lojtarët janë luks në këtë kategori.

"Për tërë edicionin duhet të merremi me ato 500 euro që na i ka ndarë FBK-ja për udhëtim. Nuk kemi mbështetje dhe nuk kemi as sponsor, kurse ajo që është më e dhimbshme nuk kemi as tuta për ndeshje në këtë kohë të ftohtë", thotë Valbona Bytyçi, që këtë edicion po kryen rolin e trajneres dhe të lojtares te Penza. "Kemi bërë një kërkesë në Komunën e Pejës, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Edhe vitin e kaluar nuk kemi marrë asnjë cent".

Bytyçi, e cila është shpallur pesë herë rresht basketbollistja më e mirë e Kosovës, thotë se me gjithë vështirësitë është e kënaqur me basketbollistet e saj të reja.

"Jam e kënaqur me këtë gjeneratë që e kam, pasi e kemi përtërirë komplet ekipin dhe kemi shënuar katër fitore në pesë xhirot e zhvilluara deri më tash. Edhe pse askush nuk merr asnjë cent, ne po punojmë me vullnet", thotë Bytyçi.

Në situatë aspak të mirë është edhe kampionia aktuale e Kosovës, Sigal Prishtina. Koordinatorja e klubit, Elvira Dushku, pranon se jo vetëm te Sigal Prishtina, por në përgjithësi situata është e vështirë në basketbollin e femrave. Sipas saj, një klubi të femrave për ta kaluar edicionin pa telashe do t'i mjaftonin pesë mijë euro. /Koha/Telegrafi/ 

telegrafi sport app