Bashkimi-Trepça, një sfidë tejet interesante

Dy klube me renome që po kalojnë formë të mirë dhe synojnë të janë në pozicionet sa më të larta në ETC Superligën e Kosovës në basketboll. Bashkimi ka katër fitore e një humbje dhe mban vendin e tretë me 9 pikë, kurse Trepça me tri fitore e dy humbje renditet e katërta me 8 pikë të mbledhura.
Përballja e tyre zgjon kureshtjen e shikuesve, sepse si njëra palë po ashtu edhe skuadra tjetër kanë individë të shquar. Nesër në orën 19.00, në palestrën e sportit në Prizren, ndeshen rivalët e vjetër, e cila është dhe derbi i javës së gjashtë.
Kapiteni i Kosova e Re Bashkimit, Qëndrim Biraj, shprehet se me mitrovicasit gjithmonë kanë qenë ndeshje të vështira, por shpreson se me angazhim e lojë të mirë do të dalin triumfues. “Ne kemi përparësi apo pikë të fortë terrenin vendas dhe tifozerinë tonë ‘Arpagjikët’”, tha Qëndrim Biraj, për BotaSot.
E në anën tjetër, trajneri i Trepçës synon që me mbrojtje të fortë ta fitojnë ndeshjen. “Në Prizren shkojmë për të treguar lojë të mirë sidomos në fazën e mbrojtjes”, ka thënë Ilir Selmani. /Telegrafi/



















































