Bashkimi transferon edhe një basketbollist malazez

Bashkimi po tregohet si njëra nga skuadrat më serioze për sezonin e ardhshëm. Prizrenasit pas një pushimi, janë rikthyer furishëm, duke bërë disa transferime.
Ata sollën një trajner me përvojë, malazezin Miodrag Baletiq dhe disa përforcime tjera. Trajneri mori në skuadër Boban Medenica, derisa në skuadër është duke u provuar edhe Louie McCroskey. Por, prizrenasit nuk janë ndalur me kaq dhe kanë rikthyer Endrit Hysenagollin, Mustafë Merovcin dhe Adnan Mustafën.
Një tjetër emër që pritet t’i bashkohet prizrenasve është qendra me përvojë malazeze, Dragomir Marojeviq, kurse në prova do të vjen edhe amerikani, Dixon Spencer.
“Marojeviq është një basketbollist shumë cilësor që i duhet skuadrës tonë. Ai do të vjen me kërkesën e trajnerit tonë. Marojeviq luan qendër dhe ka shumë përvojë. Është një lojtar i dëshmuar që nuk ka nevojë shumë fjalë”, deklaroi Arlind Kaçaniku, menaxher i klubit për ‘Sport Plus’.
Marojeviq është 33-vjeçar dhe i gjatë 207 cm. Ai ka luajtur në Metalac të Serbisë, Centar të Malit të Zi, Leotar të Bosnjës, si dhe në Rilski dhe Balkan të Bullgarisë.
Edhe Kreshnik Juniku
Të mërkurën në orët e vona faqja e Bashkimit në ‘Facebook’ ka bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje edhe me qendrën, Kreshnik Juniku. /Telegrafi/



















































