Barcelona ka konfirmuar se mesfushori Frenkie de Jong ka pësuar një këputje të ligamentit medial kolateral në gjurin e djathtë, një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushave për disa javë.

Klubi katalanas bëri të ditur se lojtari nuk do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, por do të ndjekë një program rehabilitimi nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor.


De Jong iu nënshtrua ekzaminimeve shtesë pasi kishte ndier shqetësime në gju gjatë paraqitjeve me Holandën në Kupën e Botës 2026. Ai madje u pa duke luajtur me një mbrojtëse në gju në ndeshjet e fundit të turneut.

Ky është një lajm i keq për trajnerin Hansi Flick, i cili do ta nisë sezonin pa një nga lojtarët më të rëndësishëm të mesfushës.

Megjithatë, sipas mediave spanjolle, Barcelona nuk planifikon të ndryshojë strategjinë në afatin kalimtar dhe nuk do të kërkojë një zëvendësues për holandezin.

Klubi beson se ka alternativa të mjaftueshme në skuadër, me lojtarë si Pedri, Gavi, Dani Olmo, Fermín López dhe Marc Bernal, ndërsa edhe Eric García e Andreas Christensen mund të aktivizohen në mesfushë nëse është e nevojshme.

De Jong kishte mbërritur në qendrën stërvitore "Joan Gamper" disa ditë para rikthimit zyrtar të ekipit, pikërisht për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore për gjurin që e kishte shqetësuar gjatë Botërorit.

Ky është dëmtimi i radhës për 29-vjeçarin, i cili në dy sezonet e fundit është përballur me probleme të vazhdueshme fizike. /Telegrafi/

telegrafi sport app