LAJMI I FUNDIT:

Banka e Anglisë pret rritjen ekonomiken më të ulët që prej 2009

Banka e Anglisë pret rritjen ekonomiken më të ulët që prej 2009

Banka e Anglisë deklaroi se Britania përballet me rritjen ekonomike më të dobët në 10 vite gjatë 2019-ës, duke fajësuar Brexit dhe ngadalësimin e ekonomisë botërore.

Institucioni përsëriti mesazhin se normat e interesit do të rriten nëse arrihet një marrëveshje për Brexit. Ndërkohë që bankat e tjera qendrore kanë bërë të ditur se do të ndalojnë tkurrjen monetare, Banka e Anglisë përsëriti se interesat do të rriten në mënyrë graduale dhe të limituar në ekonominë e 5 më të madhe në botë.


“Rritja ekonomike e Britanisë u ngadalësua në fund të 2018-ës dhe pritet të dobësohet këtë vit. Ngadalësimi reflekton aktivitetin e dobët jashtë vendit dhe pasiguritë nga Brexit”, deklaroi Banka e Anglisë. Institucioni la të pandryshuar normën bazë të interesit në 0.75% në takimin e muajit Shkurt. Britania pritet të dalë nga Bashkimi Europian më 29 mars, por Kryeministrja Theresa May po kërkon më shumë lehtësime nga Brukseli, që të bindë parlamentin britanik.

Banka e Anglisë ka thënë se skenari më i keq për Brexit, ku nuk arrihet marrëveshje tranzicioni, do të godasë ekonominë më keq se kriza financiare e vitit 2009. Banka Qendrore uli mprehtë projeksionet për ekonominë në vitin 2019, në 1.2% nga 1.7% që vlerësoi në Nëntor.

Kjo ishte ulja më e madhe e projeksioneve që prej referendumit të vitit 2016 dhe e vuri Britaninë në ritmin e rritjes më të dobët ekonomike që prej krizës financiare. /Telegrafi/