LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore rrit kapitalin me 13 miliardë dollarë

Banka Botërore rrit kapitalin me 13 miliardë dollarë

Aksionerët e Bankës Botërore ranë dakord këtë fundjavë për një rritje të kapitalit të paguar me 13 miliardë dollarë, që do të rrisë zotërimin e Kinës dhe do të sjellë reforma në huadhënie që do të rrisin kostot e huamarrjes për vendet me të ardhura të mesme e të larta, përfshirë Kinën.

Grupi ndërkombëtar bëri të ditur se plani do ta lejojë që të rrisë huadhënien totale në rreth 80 miliardë dollarë në vitin fiskal 2019, nga 59 miliardë që ishte vitin e kaluar dhe duke e çuar në një mesatare prej rreth 100 miliardë dollarë çdo vit deri në 2030-në.


“Ne kemi dyfishuar kapacitetin e Bankës Botërore”, tha presidenti i institucionit, Jim Yong Kim, gjatë takimit të pranverës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashington.

Rritja e kapitalit, që u përball fillimisht me qëndresë nga administrata e Trump, do të shtojë 7.5 miliardë dollarë kapital të paguar për njësinë kryesore të huadhënies, Bankën Ndërkombëtare pë Rindërtim dhe Zhvillim dhe 6.6 miliardë dollarë për Korporatën Ndërkombëtare të Financave. /Telegrafi/