ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Ballkani i Suharekës ka siguruar kualifikimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës pas fitores me rezultat të ngushtë 3-2 ndaj skuadrës uellsiane Connah’s Quay Nomads.

Kampioni i Kosovës në duelin e zhvilluar në shtëpi krijoi një epërsi të madhe prej 3:0, por në minutat e fundit e vuri në rrezik serioz fitoren, duke pranuar dy gola brenda pak minutash


Ballkani e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë dhe shkoi në pushim me epërsi minimale. Kapiteni Edvin Kuç ishte autori i golit të parë, pasi realizoi në minutën e 20-të për t’i dhënë avantazhin skuadrës prej 1-0.

Në pjesën e dytë, vendasit shpërthyen me dy gola të shpejtë dhe dukej se gjithçka ishte vendosur.

Fillimisht, Giovanni Ribeiro shënoi në minutën e 49-të për 2-0, ndërsa braziliani 24-vjeçar pak minuta më vonë u shndërrua në asistues, duke i dhënë mundësi Valentin Serebes të realizonte për 3-0 në minutën e 57-të.

Megjithatë, Connah’s Quay Nomads nuk u dorëzua dhe riktheu emocionet në ndeshje. Skuadra uellsiane ngushtoi diferencën në minutën e 69-të, kur Max Woodcock realizoi nga pika e bardhë e penalltisë për 3-1.

Vetëm disa minuta më vonë, mysafirët shënuan edhe golin e dytë. Hussein Mehasseb realizoi në minutën e 76-të për 3-2, duke e bërë fundin e takimit dramatik.

Ballkani arriti ta menaxhojë avantazhin në minutat e mbetura dhe siguroi kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Në fazën tjetër, skuadra nga Suhareka do të përballet me fituesin e duelit mes Bohemian të Irlandës dhe St Joseph’s të Gjibraltarit./Telegrafi/

telegrafi sport app