Ballkani ka fituar pa shumë vështirësi ndaj Prishtinës me rezultat 2-0 në ndeshjen derbi të javës së 29-të në BKT Superligën e Kosovës.

Ekipi i Ilir Dajës ka vazhduar serinë pozitive, duke marrë edhe fitoren e pestë radhazi dhe duke bërë një hap të madh në rrugën drejt titullit kampion.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të vendasve, të cilët patën shumë raste, goditen dy herë traversën, humben një penallti dhe shënuan dy gola.

Rasti i parë ishte në minutën e tetë kur gjyqtari akordoi një penallti të diskutueshme pas rishikimit të VAR-it, por kjo penallti e ekzekutuar nga Ermal Krasniqi u prit nga Egland Haxho dhe nga topi i kthyer Armend Thaqi goditi traversën.

Në minutën e 15-të, Nazmi Gripshi goditi traversën nga rreth 30 metra, ndërsa në minutën e 27-të gjithashtu rrezikoi me një goditje nga distanca.

Ballkani rrezikoi përsëri me Blendi Baftiun (31’), goditja e të cilit u prit nga Haxho, ndërsa Krasniqi në dy raste rrezikoi nga distanca.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 34-të me Baftiun, i cili shënoi gol të bukur për 1-0, ndërsa Krasniqi (39’) shënoi pas asistimit të Gripshit dhe dërgoi skuadrën e tij në pushim me epërsi 2-0.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, me vendasit që menaxhonin rezultatin dhe provonin kohë pas kohe, ndërsa Prishtina pati disa tentime pa sukses.

Në fakt, Ballkani e gjeti golin në minutën e parë të pjesës së dytë me Thaqin, por pas rishikimit të VAR-it goli u anulua.

Prishtina tentoi me Otto John (60’), i cili me kokë ishte afër golit dhe Qëndrim Zyba (69’), por pa sukses.

Deri në fund, vendasit patën edhe një rast të mirë me Meriton Korenicën (85’), por goditja e tij u prit nga Haxho dhe topi goditi traversën, ndërsa ndeshja u mbyll me fitoren e Ballkanit 2-0.

Pas kësaj fitore, Ballkani e sheh veten në pozitën e parë me 63 pikë apo tetë më shumë se Gjilani i dyti, ndërsa Prishtina renditet e pestë me 38 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Ballkani udhëton te Ulpiana, ndërsa Prishtina e pret Drenicën. /Telegrafi/