LAJMI I FUNDIT:

Babai nevrik që frymëzoi Michael Palinin

Babai nevrik që frymëzoi Michael Palinin

Teatrot do të nisin “epokë të artë” të re falë kombinimit të publikut të ri entuziastë dhe shtytjes vepra të reja aventureske, thotë Michael Palin, transmeton Telegrafi.

Pak para premierës së të re të një opere të bazuar në një shfaqje të Palinit, e frymëzuar kjo nga babai i tij idhnak, ish ylli i Monty Python-ëve tha për “Observer” se është i lumtur që do të jetë pjesë e rikthimit kombëtar në teatër.

“Jemi të vetëdijshëm se sa shumë shfaqje kemi humbur dhe çfarë roli jetësor kjo luan në jetën tonë. Shpresoj se ky gëzim nuk do të jetë kalimtar, por do të manifestohet jo vetëm me ringjallje të mëdha, por edhe me vepra të reja të guximshme”, tha ai. “Kjo mund të jetë një epokë e artë e teatrit”.

Palini, që është 78 vjeç, shprehet se fuqia e operës i ka dhënë “madhështi” të papritur një studimi të errët komik të jetës familjare të klasës së mesme, që ai e shkroi për herë të parë para 25 vjetëve. Një histori e frymëzuar nga kujtimet e hidhura personale, është baza e një pjese moderne të teatrit lirik.

“Është një zhanër tjetër dhe po funksionon”, tha ai pasi ishte në provat e shfaqjes “Vikendi” (“The Weekend”), një prodhim i ri operistik i ndikuar nga xhazi, bazuar në shfaqjen e vitit 1994 me të njëjtin emër.

“Forma e operës ka shtirje, dyshime, gënjeshtra dhe xhelozi dhe kjo të lejon që ato të luhen në një shkallë të madhe, duke e çuar komedinë në një nivel krejt të ri”, shtoi Palin.

Shfaqja e tij u dha për herë të parë në “West End” në 1994, me Richard Wilsonin në rolin kryesor, i cili e luajti inatçiun Victor Meldrew në sitkomin e famshëm të BBC-së, “Një këmbë në varr”.

Fjala është për personazhin Stephen Frebble, i cili në pension tërheqet nga jeta familjare, duke e gjetur rehatinë në ditoren “Daily Telegraph” dhe një gotë uiski. Personazhi, sipas Palinit, ishte “lirshëm i bazuar” te babai i tij Edward Palin, një njeri që ishte “shumë i zemëruar me botën, në përgjithësi”. Paqja e personazhit pushtohet nga vizitat e fëmijëve të tij të rritur dhe, përfundimisht, nga lajmet e padëshiruara se ai dhe gruaja e tij po e organizojnë një gosti lokale kokteji.

Palin shprehet se “cilësia e madhe” e muzikës e preku menjëherë dhe se është i lumtur të jepte bekimin për shfaqjen e re, veçanërisht kur dëgjoi refrenin “duke i bërë jehonë banalitetit”, të tekstit të personazhit të tij, në një efekt komik. “Prania e refrenit dhe intimiteti i muzikës kundërshton momentet më të errëta kur të gjitha këto emocione papritmas pushojnë së qeni qesharake”, tha Palin.

“Nuk mund të besoja se sa shumë narracioni delikat e emocional i shfaqjes origjinale, është transformuar dhe ngritur duke e marrë një trajtë operistike”.

Trupa e Teatrit të Operës “Highbury” u bë e famshme kur katër vjet më parë kur e bëri adaptimin e veprës “Ethet e lojës” (“Fever Pitch”), që është libri më i shitur për futbollin i shkrimtarit Nick Hornby.

Palin ka pasë rolin kryesor të personazhit Frebble, së bashku me aktorët Penelope Wilton, Hugh Dennis, Bill Paterson, Patrick Barlow dhe Sophie Thompson, në një prodhim të “Vikendit” të transmetuar vitin e kaluar në BBC Radio 4. /Telegrafi/