Institucioni i Avokatit të Popullit ende nuk ka pranuar asnjë ankesë lidhur me Projektligjin për pagën minimale, i miratuar në parim, por shprehet se me shqetësim janë duke i ndjekur kundërshtimet karshi ndryshimeve që ka përfshirë ky proces.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj në një intervistë për KosovaPress shprehet se janë duke e analizuar procesin e hartimit të këtij projektligji dhe se në ditët në vijim do të dalin me një qëndrim.

Përpos debatit dhe kundërshtimit të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, qeveria është akuzuar se po lë jashtë nga ligji i pagës minimale edhe të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët.

“Në institucion nuk kemi pranuar ankesë, por padyshim që ne e kemi përcjell me shqetësim krejt ngjarjet që kanë ndodhur sa i përket ndryshimit të Ligjit për pagën minimale dhe përjashtimit në njëfarë mënyre të disa kategorive sociale nga rritja e mbështetjes financiare me propozim të ligjit që është aprovuar në lexim të parë.

Ne si institucion jemi duke e vlerësuar dhe duke analizuar të gjithë procesin e hartimit apo përpilimit të këtij akti ligjor dhe procedurave që janë zbatuar deri në ndryshim të tij. Padyshim që ditëve në vijim do të dalim me një qëndrim sepse për ne është shumë me rëndësi të shohim se çdo ndryshim ligjor a përcillet me trajtim të barabartë të qytetarëve dhe a krijon rrethana të gjithëpërfshirjes… Jemi duke e parë a ka shkelje ose jo dhe nëse ka shkelje dhe trajtim të pabarabartë padyshim që do të reagojmë me kohë”, u shpreh ai.

Edhe çështja e tarifave të energjisë elektrike ka qenë një shqetësim për qytetarët. Çështja është në duart e institucioneve të drejtësisë, pavarësisht vendimit të Supremes që urdhëroi aplikimin e tarifave të shtrenjta, por beteja ligjore është paralajmëruar se do të vazhdojë.

Qelaj, pavarësisht se nuk ka ndryshuar qëndrim rreth vendimit të ZRRE-së për bllok tarifa e për të cilin thotë se nuk ka mbështetje ligjore, theksoi se në këtë situatë nuk mund të interferojnë në procesin gjyqësor për ta dërguar të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese.

“Mendoj që nuk është e jona që në këtë fazë të interferojmë në procedurat gjyqësore, ne kemi thënë qëndrimin tonë lidhur me opinionin publik që e kemi bërë publik dhe kemi sqaruar opinionin dhe në këtë rast, edhe palët që munden me qenë pjesë e konfliktit administrativ.

Ato që ne kemi konstatuar në atë opinion jemi të bindur se qëndrojnë, vendimi i ZRRE-së nuk ka mbështetje ligjore, është në disa pika në kundërshtim me ligjin, nuk i trajton barabartë qytetarët, nuk ka bazë ligjore vendosja e bllok tarifave…. ne si institucion i Avokatit të Popullit asnjëherë nuk interferojmë dhe nuk ndërhyjmë në procese gjyqësore por padyshim japim qëndrimet tona sidomos kur janë në interes të përgjithshëm dhe kur konsiderojmë se mund të cenojnë të drejtat e qytetarëve”, theksoi Qelaj.

Por në gjysmën e parë të vitit, në institucionin e Avokatit të Popullit janë rritur ankesat krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, derisa natyra e ankesave vazhdon të mbetet e njëjtë.

Qelaj deklaroi për KosovaPress se si institucion kanë nisur një hetim “ex officio” që lidhet me personat me aftësi të kufizuara dhe raportet përmbledhëse priten të publikohen në dhjetor.

“Ankesat janë rritur në numër krahasuar me vitin paraprak, kjo ka ardhur si rezultat i shumë ngjarjeve që kanë ndodhur… Natyra e ankesave kryesisht mbetet e njëjtë sepse edhe problemet mbeten të njëjta, zvarritjet e procedurave gjyqësore, cenimi i të drejtës nga marrëdhënia e punës sidomos tek pjesa e rekrutimit të qytetarëve në rastin e shpalljes të konkurseve publike për punësim, natyra e tretë që më së shumti raportohet është mungesa e mjeteve efektive juridike në rast të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Për këtë vit ajo që duhet veçuar është se ne kemi nis një hetim ‘ex officio’, kemi marr një nismë për fillimin e hetimit në shumë tema që lidhen me persona me aftësi të kufizuara duke marr parasysh se janë një kategori e cenueshme edhe pse janë marr shumë hapa dhe veprime, pozita e tyre vazhdon të jetë e ndjeshme, vazhdon me qenë e vështirë dhe në anën tjetër jemi në vitin që po ua kushtojmë personave me aftësi të kufizuara. Besoj kah dhjetori ne do të dalim me raporte përmbledhëse ku do të pasqyrojmë gjendjen e kësaj kategorie”, u shpreh Avokati i Popullit.

Qelaj e konsideron tejet të rëndësishme procedimin e Kodit Civil, për të cilin kërkon që të përfshihen kërkesat e qytetarëve duke u bazuar në legjislacionin e BE-së.

“Konsideroj që është me rëndësi Kodi për arsye se është hera e parë që po bëhet një punë e tillë dhe ne e mbështesim krejt autoritetet që punojnë në hartim të Kodit, mirëpo Kodi nuk duhet me qenë vetëm një përmbledhje e ligjeve ekzistuese, por duhet me qenë një reformë ligjore duke vendosur standarde që kërkohet me i pas një Kod Civil në bazë të legjislacionit të BE-së…

Ka qenë problem dhe vazhdon të jetë problem mos rregullimi i disa raporteve në kuadër të Kodit Civil, por unë po besoj dhe shpresoj që autoritetet në këtë rast Qeveria e Kosovës do të reflektojë dhe do të dëgjojë zërin e qytetarit dhe ato çështjet do t’i rregullojë siç është më së miri”, theksoi Qelaj.

Në një deklaratë të mëhershme për KosovaPress, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pati thënë se do të procedojnë sërish draftin e Kodit Civil dhe janë të interesuar të bashkëpunojmë me deputetët që kanë një mendim tjetër por që të drejtat e njeriut nuk mund të negociohen.