LAJMI I FUNDIT:

Aty ku është Zoti, nuk bie në sy mbreti…

Aty ku është Zoti, nuk bie në sy mbreti…

Si sot pesë vjet më parë, të dielën, më 4 shtator 2016, E lumja Nënë Tereza, e shpallur Shenjtënesha më e re e Kishës Katolike dhe e njerëzimit mbarë, u shfaq në sheshin “San Pietro” në Romë, në dimensionin e Shenjtes së Dashurisë dhe Mëshirës. Ajo erdhi në këtë ditë të lume si “dërgatë” e Kongregatës (Urdhrit) së Misionarëve të Bamirësisë. Një urdhër i krijuar prej saj dhe i miratuar prej Ipeshkvit të Kalkutës. Më pas, Urdhri miratohet edhe nga Propagada Fide në Romë dhe kështu ajo fiton “legalitetin” për të ndërtuar e perfeksionuar mbretërinë e saj të përshpirtshme të dashurisë dhe mëshirës në tokë. Në fillim e përgjithmonë, në Kalkutë të Indisë. Por, edhe anembanë botës, me prezencën e saj. Në 123 shtete, rreth 750 shtëpi bamirësie në të cilat gëlojnë më se katër mijë motrat me uniformën bardhekaltër të Kongregatës së bamirësisë. Pa shënuar këtu edhe shtëpitë e shërbesat e vëllezërve kontemplativë (soditës, kundrues).

Më pas, së bashku me Atë Sebastian Vazhakala ka themeluar edhe “Misionarët Laikë të Dashurisë”, një lloj urdhri i Tretë i Misionarëve të Dashurisë. Rastësia fatlume e njohjes me Atë Sebestianin e më pas bashkëpunimi ynë me të, na ka sjellë edhe në shqip, pas botimit në shumë gjuhë të botës kroniken e përndritshme pranë Nënës së Lume … (Atë Sebastian Vazhakala M.C., “Jetë me Nënë Terezën-Miqësia ime tridhjetëvjeçare me nënën e të varfërve”, Enti Botues “Gjergj Fishta”, 2008)


“Atë Sebastiani, njëri nga gjashtë vetët që mbante arkëmortin me kurmin e Nënë Terezës, në ditën kur nisi pavdekësia e saj, më 4 shtator 1997, është njëherësh edhe mbartës i shumë kujtimeve të rëndësishme, përshkruar në kronikën e kësaj miqësie hyjnore në 30 vite jete pranë Nënë Terezës”. (shkruan Visar Zhiti në parathënien e librit).

Më pas … Më pas, kështu deri në çastin që shkëputet prej botës së tokës drejt botës hyjnore të qiellit, pa u ndalur asnjëherë, në shërbesën e mëshirës për nevojtarët e gjithsojshëm e të gjithkundgjindshëm (kudondodhur). Ajo i apelon njerëzimit, sot e përgjithmonë, nevojën e përjetshme për më shumë dashuri ndërnjerëzore, për më shumë vëmendje prej të pasurve për më të varfrit e të varfërve, për më shumë drejtësi prej atyre që kanë në dorë pushtet, për më shumë afri e mbështetje prej të fuqishmëve për të pafuqishmit, për më shumë buzëqeshje, si ilaç për dhimbjet.

“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”, do ta përsëriste shpesh si devizën e misionit të saj, Nënë Tereza, se gjërat e mëdha i bën tjetërkush …

Kur Nënë Tereza kishte fituar çmimin “Nobel të Paqes”, siç rrëfen Don Lush Gjergji, biografi i vetëm ndër shqiptarë, dëshmitar fatlum i ngjarjes së madhe, më 10 dhjetor 1979, ora 9:30, në Oslo, i bën një vizitë mbretit Otavo V i Suedisë. Pas përshëndetjes dhe një bisede të shkurtër, Nënë Tereza e pyeti mbretin: “Madhëri, a do të jeni i pranishëm sot në ceremoninë e prezantimit të Çmimit Nobel?”.

– Unë do të vija me dëshirë, por unë jam gjithmonë në qendër të vëmendjes së njerëzve, prandaj nuk dua që edhe sot të ndodhë kjo. Sot është dita jote … Nuk dua që të jem unë në qendër të vëmendjes – i përgjigjet Mbreti.

– Madhëri! Mos ngurroni të vini – i thotë Nënë Tereza – në qendër të vëmendjes nuk do të jeni, as Ju e as unë. Aty ku është Zoti, nuk bie në sy mbreti!

Dhe, për befasinë e të gjithëve, sidomos të organizatorëve pas shpjegimit të saj dhe ftesës, kështu të arsyetuar të saj, mbreti ishte i pranishëm në ceremoni. Shenjtërimi i saj vjen pas lutjeve të pandërprera kurrë, asnjëherë, për asnjë çast të vetëm. Vjen gjithashtu pas veprave të përditshme e të përorshme, duke ua kushtuar gjithçka të përshpirtshme të saj, të varfërve, të uriturve deri në pragvdekje, të pamundurve e të papërkrahurve. Sipas ritualit kanonik, shenjtërimi i saj vjen pas shpalljes E lume tetëmbëdhjetë vjet më parë, si mrekullibërëse, si shëruesja e një gruaje indiane të sëmurë me sëmundje të pashërueshme. Me vargun e paprerë të lutjeve, me shpirtin dhe me duart e saj të imta.

Aty, në Sheshin “San Pietro”, asohere ishim edhe ne bashkëkombës të saj, shqiptarë të ngadoardhur. Dhe, u ndjemë ngrohtë, shumë ngrohtë nën mbulojën e shenjtërisë së saj.

Si edhe të tjerët, natyrisht. Patetika nuk vlen, heshtja më shumë. Dhe lutjet e saj për ne. Shenjtja jonë Terezë, lutu për ne mëkatarët, lutu për dashurinë e acaruar mes nesh, lutu dhe kërko mëshirë për të shtypurit nën pabarazinë!

Si në qiell, ashtu në tokë … Amen!