LAJMI I FUNDIT:

Artistja më e dashur e Ukrainës: Simboli i mbijetesës dhe ringjalljes kombëtare

Artistja më e dashur e Ukrainës: Simboli i mbijetesës dhe ringjalljes kombëtare
Maria Prymachenko

Nga: Jonathan Jones / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në Ekspozitën Ndërkombëtare të vitit 1937 në Paris, dy pavijone kolosale u përballën me njëri-tjetrin. Njëri ishte i Gjermanisë së Hitlerit – i dekoruar me shqiponjë naziste. Tjetri ishte i Bashkimi Sovjetik të Stalinit – i dekoruar me statujën e një punëtori dhe të një fshatari që i mbante duart bashkë. Ishte kjo një përplasje simbolike, në momentet kur e djathta dhe e majta po luftonin deri në vdekje në Spanjë. Por, diku brenda pavijonit sovjetik, mes gjithë atij realizmi socialist ishin ca vizatime bishash dhe lulesh përrallore të mbushura me magji të papërpunuar folklorike. Ato e përmbysën epokën e diktatorëve me asgjë më pak se një triumf të imagjinatës njerëzore kundër terrorit dhe vdekjeve masive.


Këto krijime sublime ishin veprat e artistes ukrainase Maria Prymachenko, e cila sërish është kthyer në simbol të mbijetesës në luftën e një diktatori. Prymachenko – e cila vdiq më 1997 – është artistja më e dashur e vendit tashmë të rrethuar; simbol kombëtar vepra e së cilës është shfaqur në pullat postare e pamja e saj në bankënota. Madje, astronomi ukrainas, Klim Churyumov, ia vuri një planeti emrin e saj.

Kur Muzeu i Historisë Lokale në Ivankiv merr flakë nga bombardimet ruse, një ukrainas rrezikoi jetën e vet për t’i shpëtuar 25 veprat e saj. Por, e gjithë vepra jetësore e Prymachenkos është nën kërcënim serioz. Teksa Kievi po i përballon sulmet e rënda, rrezikohen – si gjithçka tjetër dhe si secili në kryeqytet – 650 piktura dhe vizatime të artistes që ruhen në Muzeun Kombëtar të Artit Dekorativ Popullor .

Thuhet se kur disa nga pikturat e Prymachenkos u shfaqën në Paris më 1937, mjeshtëria e saj u vlerësua nga Picasso i cili tha: “Përulem para mrekullisë artistike të kësaj ukrainase brilante”. Ka një kuptim artistik këtu. Sepse, kjo fshatare e re që nuk ka marrë ndonjë mësim në jetën e saj, lëshonte përbindësha dhe mblidhte fabula që përputheshin me veprën e Picassos dhe të miqve të tij surrealistë. Teksa diktaturat përballeshin në ndërtesën e Ekspozitës Ndërkombëtare, Picasso e shpalosi “Gernikën” në pavionin spanjoll duke i përdorur imazhet e ndeshjes me dema për t’i pasqyruar tmerret e luftës. Prymachenko gjithashtu hulumtoi mitet për t’i trajtuar përvojat e tmerrshme të ukrainasve.

Punimet e saj të viteve 1930 janë dromca të vitalitetit të oborrit të shtëpisë. Në njërën prej tyre, një zog i bukur si palloi, me trup të verdhë dhe me krahët e kaltër, ulet në anën e pasme të një krijese zvarritëse ngjyrë kafe, dhe ia jep ushqimin në gojë. Pse zogu i famshëm po e ushqen këtë përbindësh që nuk fluturon? A është fjala për një akt të mëshirës apo produkt i mashtrimit grotesk? Në një vizatim tjetër, një zog po aq shumëngjyrësh duket se i mban të vegjlit në gojë. Duke i mbajtur me butësi, mund të mendoni ju nëse nuk dini asgjë për historinë e Ukrainës.

“Më ushqe” … një nga veprat që merret me zinë e bukës në Ukrainë

Në shikim të parë, Prymachenko mund të duket thjesht shumëngjyrëshe, dekorative dhe “naive”; artiste folklorike me ndjesi të fortë për zbukurimet. Sigurisht, veprat e saj të mëvonshme – pas vitit 1945 – janë më të ndritshme, më formale dhe më relaksuese. Por, ka një prapavijë te krijimet e mëparshme, sepse Prymachenko u bë artiste në dekadën kur Stalini nisi t’i shkatërronte fshatarët e Ukrainës. Miliona fshatarë vdiqën nga uria që me vetëdije e shkaktoi në Ukrainën sovjetike – nga viti 1932 e deri më 1933.

Fillimisht, furnizimet me ushqime dështuan për shkak të përpjekjes së papritur e të pamëshirshme për ta “kolektivizuar” bujqësinë. Fshatarët nuk lejoheshin të kishin tokë për veten e tyre, por u detyruan të bashkoheshin në kolektivet e një politikë drakoniane që kishte për qëllim sigurimin e ushqimit për proletariatin e ri urban. Ukraina ishte dhe është tokë e madhe e bukës, por goditja e kolektivizimit e futi bujqësinë në kaos. Holodomori – siç quhet tani kjo uri e terrorit – vlerësohet si gjenocid: Stalini e dinte çfarë po ndodhte dhe, megjithatë, terrori u dyfishua duke i mohuar ndihmat, duke i arrestuar fshatarët ose, edhe më keq, nëse ata lypnin nëpër qytete ose kërkonin ndihmë shtetërore. Në një si parathënie rrëqethëse të logjikës dhe argumenteve të Putinit sot, kjo mizori u nxit nga nocioni qesharak se të uriturit ishin nacionalistë ukrainas që përpiqeshin ta minonin sundimin sovjetik.

“Është e arsyeshme”, shkruan historiani Timothy Snyder në librin e tij “Tokat e gjakut”, “të jepet shifra prej rreth 3.3 milionë të vdekurve nga uria dhe nga sëmundjet e lidhura me urinë në Ukrainën sovjetike, në vitet 1932-1933”. Këto nuk ishin vdekje të bukura dhe ato ndodhën përreth Prymachenkos, në fshatin e saj Bolotnya. Disa njerëz e zgjodhën kanibalizmin përpara se të vdisnin. Kufomat e të uriturve u bënë ushqim për ta.

E lindur në vitin 1908, Prymachenko ishte në fillim të 20-ave kur u bë dëshmitare e këtij vizioni të ferrit në Tokë – dhe mbijetoi për t’u bërë artiste. Por, frika nuk mbaroi me zinë e bukës. Në kohën kur u shfaqën veprat e saj në Paris, në vitin 1937 vazhdonte Terrori i Madh i Stalinit. Kjo shpesh paraqitet si kasaphana e intelektualëve dhe politikanëve urbanë – por, ndodhi edhe në fshatrat e Ukrainës.

Kështu që, duhet një sy jo kritik për të mos e parë anën shqetësuese të artit të hershëm të Prymachenkos. Zogu në gojën e prindit, një pallua që e ushqen bishën. Ndoshta aty është edhe vetëfajësimi për mbijetesë dhe ndjesia e tjetërsimit në një habitat të shkatërruar që shfaq imazhe të krijesave të çuditshme, të shtrembëruara e të humbura në një natyrë që nuk funksionon dhe që nuk e kuptojnë. Një nga bishat e saj fantastike duket e verbër, me gojën e hapur në një vajtim të trishtuar, teksa ngec në kopsht me katër këmbët e mpira. Gjarpri dhe hidra me shumë koka shfaqen po ashtu midis luleve, si mashtrues të bukur që ndërhyjnë, por prapë si vrasës në Eden. Në një tjetër vepër të mesit të viteve 1930, një zog i lavdishëm kthehet prapa me frikë, kur një më i vogël i ulet në gjoks me sqepin e hapur.

Nuk ka asgjë dekorative apo qetësuese në imazhet që e bënë të njohur këtë artiste të guximshme. Përtej ringjalljes naive të artit popullor tradicional, përbindëshat e saj të vetmuar – ose vrasësit – ekzistojnë në natyrën e helmuar nga dhuna. Megjithatë, ajo ia doli – dhe madje u promovua zyrtarisht, pikërisht në kohën e Terrorit të Stalinit kur miliona njerëz vriteshin vetëm nën dyshimin e mendimit të pavarur. Ndoshta kjo ndodhi sepse stalinistët paranojakë nuk besonin se një grua fshatare paraqiste kërcënim.

Prymachenko ka thënë se kur një ditë si fëmijë kujdesej për kafshët, “nisi të vizatonte lule reale dhe imagjinare, me një shkop në dheun e oborrit”. Është kjo historia që përsëritet në artin popullor – kështu ia nisi edhe piktori i madh mesjetar, Giotto. Por, ishte qëndistaria e Prymachenkos, aftësia e bartur nga nëna e saj që e vuri në pah për ta ftuar në një seminar të artit në Kiev. Origjina e saj nënkupton se nga patronët e sistemit sovjetik u cilësua si artiste fshatare. Një “intelektual” që bënte vepra të tilla do të kishte përfunduar në gulag ose më keq.

“Vrasësi ndërhyn në Eden”

Megjithatë, për ta kuptuar mrekullinë e plotë të arritjeve të saj, duhet ta vendosni Prymachenkon në kohën dhe në vendin e saj – në vitet 1930, kur Bashkimi Sovjetik e shtypte pa nda imagjinatën, ndërsa Stalini e imponoi konformitetin absolut. Shkrimtari ukrainas, Mikhail Bulgakov, nuk mundte t’i publikonte fantazitë e tij surreale edhe pse, në një ironi tiranike, Stalini i lexoi ato dhe ia fali jetën shkrimtarit. Por, naivja e dukshme rurale e veprës së Prymackenkos e lejoi të krijonte art misterioz – tinëzisht makabër – që kishte më shumë të përbashkëta me surrealizmin sesa me realizmin socialist.

Pastaj, për çudi, u përkeqësua prapë jeta në Ukrainë. Prymachenko te imazhet e gjeti përgjigjen kundër urisë, por heshti gjatë Luftës së Dytë Botërore kur pushtimi i Hitlerit në Bashkimin Sovjetik e shndërroi Ukrainën në një nga vendet e para ku hebrenjtë u vranë në mënyrë masive. Në shtator të vitit 1941, 33 771 hebrenj të Kievit u pushkatuan dhe trupat e tyre u hodhën në një luginë jashtë qytetit. Prymachenko ishte duke punuar në një fermë kolektive dhe nuk kishte ngjyra për të pikturuar.

Në vitet 1960 ishte subjekt i një ringjalljeje çliruese: dizajnet e saj popullore ndihmuan në ngritjen e ndërgjegjes së re ukrainase. Arti i saj i viteve ’60 ka cilësi pothuajse hipike. Mund të shihni se si i bën thirrje audiencës më të re për t’u rilidhur me identitetin ukrainas.

Vendi ka edhe artistë të tjerë për t’u krenuar, si Kazimir Malevich – një titan i avangardës, i famshëm për “Sheshin e Zi” apo herën e parë kur një pikturë nuk ishte pikturë apo diçka e ngjashme. Megjithatë, mund të kuptoni se pse Prymachenko është kaq e dashur. Arti i saj, me rrënjët e saj fshatare, shpreh shpresën dhe krenarinë e kombit. Por, e kaluara që ajo evokon nuk është epokë e pafajshme e harmonisë së lumtur rurale. Mund të merrni me mend dhe do të kishit frikë nga ajo që do të bënte me terrorin e Putinit. /Telegrafi/

Pamje nga një protestë në San Francisko, në mbrojtje të Ukrainës