Amedspor të shtunën e siguroi promovimin në elitën e futbollit turk pas një periudhë në divizionet më të ulëta.

Një ndër lojtarët më kyç në suksesin e skuadrës ishte padyshim sulmuesi kosovar Florent Hasani, që arriti ta ndihmojë dhe motivojë skuadrën që kur iu bashkua në muajin janar të këtij viti.


Hasani e nisi sezonin te Boluspor, ku e dëshmoi vetën si lojtari më i mirë në divizionin e dytë të Turqisë me 14 gola për të kaluar te Amedspor, të cilët edhe matematikisht siguruan pjesëmarrjen në elitë.

29-vjeçari në një intervistë për Telegrafin e pranoi se adaptimi nuk ishte e lehtë, por është i lumtur që objektivi në fund u arrit.

“Sezoni mendoj ka qenë fantastik tek të dy ekipet. Gjysmësezoni i parë te Boluspor shënova shumë gola, e pastaj u transferova te Amedspori, me të cilët arritëm qëllimin historik, pra Superligën”.

“Ishte shumë e vështirë në aspektin individual derisa u adaptova me ekipin, sistemin e lojës dhe lojtarët. Gara ishte tepër e madhe edhe nëligë, ku shumë ekipe të forta po luftonin javë për javë për ta arritur Superligën”.

Hasani falënderoi tifozët për ndihmën e dhënë, si dhe përmendi faktin që të shtunën festuan deri në orët e hershme të mëngjesit.

“Tifozët na kanë ndihmuar shumë. Klubi ka shumë tifozë prapa vetës, pra janë të pranishëm si vendas ashtu edhe në ndeshjet mysafir. Ky sukses është edhe meritë e tyre, prandaj edhe festa mbrëmë ishte deri në ora 5 të mëngjesit”.

Ai ndër të tjera e pranoi se ky sezon ka qenë më i miri i karrierës, derisa konfirmoi se nuk do të largohet nga Amedspori.

“18 gola e tetë asistime do të thotë që sezoni ka qenë fantastik, e më e mira që këtyre statistikave ju shtohet edhe titulli kampion si dhe inkuadrimi në elitë”.

“Tash është koha që ta mbarojmë festën zyrtare, pastaj një pushim i merituar pas kësaj sezone të gjatë dhe fillojmë përgatitjet për Superligë. Kontrata ime vlen edhe për një vit kështu që jam i fokusuar ta ndihmoj ekipin edhe më tutje”, përfundoi ai për Telegrafin.

Me këtë formë fantastike, padyshim nuk do të ishte befasi nëse Hasani do të merrte ndonjë ftesë nga përzgjedhësi Franco Foda për dy miqësoret e muajit qershor./Telegrafi/

telegrafi sport app