Arrestohet një person në lidhje në me rastin e vdekjes së punëtorit në Vushtrri

Një person është ndaluar për 48 orë lidhur me rastin e vdekjes së një punëtori në Vushtrri të enjten.
Policia njoftoi se hetuesit policorë të Sektorit Rajonal të Hetimeve në koordinim me prokurorin kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me rastin, ku janë intervistuar pesë persona në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar edhe një person i dyshuar.
“Pas intervistimit, është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë”, njofton policia e Kosovës.
Mesditën e së enjtes punëtori ra nga një kat i lartë i një objekti në ndërtim. Pasi u dërgua në Emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë ai vdiq.
Trupi i pajetë i 31-vjeçarit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.












































