Armët sekrete të Portugalisë në Botëror: Ronaldo, Bruno Fernandes dhe mjeshtri i skemave që po mahnit botën


Portugalia dhuroi një nga paraqitjet më mbresëlënëse të Kupës së Botës 2026, duke e mposhtur Uzbekistanin me rezultat të thellë 5-0.
Ndeshja kishte gjithçka: dy gola nga Cristiano Ronaldo, një supergol nga goditja e dënimit e Nuno Mendes, një autogol dhe, mbi të gjitha, ekzekutime spektakolare të skemave nga situatat standarde.
Megjithatë, pas këtyre lëvizjeve të studiuara me detaje nuk qëndron përzgjedhësi Roberto Martinez, siç kanë menduar shumë tifozë dhe analistë, por specialisti i situatave standarde, Austin MacPhee.

Një nga momentet më të diskutuara të ndeshjes erdhi në minutën e 58-të, kur Cristiano Ronaldo dhe Bruno Fernandes ekzekutuan një goditje dënimi të pazakontë.
Ronaldo simuloi një lëvizje drejt zonës, ndërsa Fernandes dërgoi një top të harkuar në hapësirë, duke hutuar plotësisht mbrojtjen kundërshtare. Edhe pse aksioni nuk përfundoi me gol, ai u bë menjëherë viral.
Po aq spektakolar ishte edhe korneri që çoi në autogolin e portierit uzbek Abduvohid Nematov. Gjithçka nisi me sinjalet dhe dirigjimin e Bruno Fernandes, i cili organizoi lëvizjet e bashkëlojtarëve në zone.

Presioni dhe bllokimet e koordinuara detyruan mbrojtësit kundërshtarë të gabonin, duke sjellë autogolin.
Një tjetër moment i zgjuar ishte gjatë golit të Nuno Mendes nga goditja e lirë. Ronaldo i bëri të gjithë të besonin se do ta merrte ai përsipër ekzekutimin, madje edhe kamerat fokusuan fytyrën e tij.
Në çastin kur mbrojtja u përgatit për goditjen e tij, ai ndaloi papritur dhe Mendes goditi topin direkt në rrjetë.

Arkitekti i këtyre lëvizjeve është Austin MacPhee, trajneri skocez i specializuar në situatat standarde. Ai krijoi reputacionin e tij te Aston Villa, ku së bashku me Unai Emery e shndërruan ekipin anglez në një makineri golash nga goditjet e këndit, goditjet e lira dhe rivëniet anësore.
Në sezonin 2023/24, Aston Villa realizoi 25 gola nga situatat standarde – më shumë se çdo skuadër tjetër në Evropë – ndërsa një sezon më vonë përsëriti suksesin me 20 gola.
Karakteristika kryesore e MacPhee është kreativiteti. Asnjë skemë nuk duhet të jetë identike me tjetrën. Ai përdor sinjale të ndryshme, bllokime të hapësirave, lëvizje mashtruese dhe taktika të papritura për të çorientuar kundërshtarët.
Shenjat e punës së tij u panë që në minutat e para kundër Uzbekistanit. Portugalia krijoi raste të rrezikshme pas rivënieve anësore, kombinimeve të shpejta dhe lëvizjeve të koordinuara që vazhdimisht nxorën jashtë pozicionit mbrojtjen kundërshtare.

Me këtë arsenal taktik, Portugalia duket se ka sjellë një armë të re në Botërorin 2026.
Nëse vazhdon të shfrytëzojë me të njëjtin sukses situatat standarde, skuadrat rivale do ta kenë jashtëzakonisht të vështirë të gjejnë një mënyrë për ta ndalur rrugëtimin e luzitanëve drejt trofeut. /Telegrafi/












































