LAJMI I FUNDIT:

Argumentet pro e kundër ndarjes së 100 eurove përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike

Argumentet pro e kundër ndarjes së 100 eurove përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.

Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.

Përderisa deputetët e shumicës parlamentare e kanë lavdëruar këtë vendim të Qeverisë, opozita ka kritikuar vendimin duke e akuzuar Kurtin për mungesë politikash sociale.

Ndërsa në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, anëtarë të shoqërisë civile kanë qenë të ndarë në mendime në lidhje me efektet e këtij vendimi.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se në këtë kohë krize është e vështirë të kritikohet një vendim i tillë i Qeverisë së Kosovës.

“Unë jam kundër që paratë të shpërndahen në një mënyrë të tillë, ashtu siç isha kundër edhe kur qeveritë paraprake ndanin para për biznese që nuk regjistronin humbje. Për mua është e pakuptueshme të përfitojnë njëjtë edhe ai që ka pagën 200 euro edhe ai që ka pagën 900 euro”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Mushkolaj thotë se në ndihmë nuk janë përfshirë të papunët dhe punëtorët që punojnë në bujqësi.

Murati tregon në detaje si do të bëhet aplikimi për shtesat që iu ndanë punëtorëve të sektorit privat e studentëve
Lexo po ashtu Murati tregon në detaje si do të bëhet aplikimi për shtesat që iu ndanë punëtorëve të sektorit privat e studentëve

“Është më e lehtë të shpërndahen paratë ashtu si veproi Qeveria, por do të ishte shumë më e vështirë nëse ke strategji më ndryshe që do të kishin efekt afatgjatë”.

Ndryshe mendon analisti tjetër Ylli Hoxha, sipas të cilit vendimi është marrë pasi është shfaqur kriza ekonomike pas rritjes së çmimeve.

“Këto lloj ndihmash jepen kur vendi futet në një krizë. Këto 100 euro janë ndihmë për qytetarët dhe ndihmojnë ekonominë pasi paratë shpenzohen shpejtë dhe ekonomia ecën para”.

Megjithatë Hoxha thotë se kjo çështje është dashur të debatohet pasi sipas tij është në pyetje 1/10 e buxhetit vjetor të një vendi.

Kryetari i Sindikatës së sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se pavarësisht se ndihma e Qeverisë është e mirëseardhur, sipas tij do të duhej të kishte debate.

“Nuk janë përfshirë të gjitha kategoritë. Ne e dimë se në sektorin privat 50% e punëtorëve janë pa kontrata pune”.

Ai tha se sindikatat nuk mund të mashtrohen me 100 euro.

Njëqind eurot shtesë nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike, ndihmë apo lëmoshë
Lexo po ashtu Njëqind eurot shtesë nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike, ndihmë apo lëmoshë

“Këtë veprim që e bëri Kurti është si pasojë e një proteste që u bë disa ditë më parë”.

Vehbi Kajtazi thotë se ndarja e mjeteve nga ana e Qeverisë nuk është bërë në mënyrë të drejtë.

Ai thotë se ata që më së shumti kanë nevojë për para, që sipas tij janë të papunët, nuk përfitojnë nga Qeveria.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se ekzistojnë disa paqartësi në lidhje me ndarjen 100 milion eurove nga Qeveria.

“Më shumë duket si masë sociale pasi masë ekonomike nuk duket të jetë. Nuk krahasohet situata me atë të pandemisë…Megjithatë edhe si masë sociale nuk është ndarje e drejtë. Nuk mund të krahasohet studenti i publikut me atë të privatit. Nuk krahasohet ai që ka pagë 250 euro me atë që ka pagë 950 euro. Ne nuk jemi të gjithë të njëjtë dhe nuk i kemi nevojat e njëjta”, tha ai.

Ish-deputeti thotë se në kushte të inflacionit nuk është mirë të futen në treg para të reja pasi mund ta vështirësojnë edhe më tej gjendjen./Telegrafi/