Angelina Jolie flet për dashurinë pas divorcit: Nuk kam dalë me askënd për dhjetë vjet


Angelina Jolie ka zbuluar se nuk ka qenë në një lidhje romantike që nga ndarja me ish-bashkëshortin e saj, Brad Pitt, në vitin 2016.
Në një intervistë të fundit, fituesja e çmimit Oscar tha se gjatë dhjetë viteve të fundit ka zgjedhur t’i përkushtohet plotësisht gjashtë fëmijëve dhe familjes, duke e lënë jetën sentimentale jashtë vëmendjes.
Ajo theksoi se roli në filmin e saj të ri, "Couture", i ka sjellë një reflektim të ri mbi dashurinë.
- YouTube www.youtube.com
Sipas Jolie, personazhi që interpreton e ndihmoi të kuptojë se një nënë mund të jetë plotësisht e përkushtuar ndaj fëmijës së saj, por njëkohësisht të ketë nevojë edhe për dashuri dhe ta pranojë atë në jetën e saj.
Aktorja foli edhe për periudhën e vështirë pas divorcit, i cili u finalizua në fund të vitit 2024 pas një beteje të gjatë ligjore.
Ajo tregoi se iu rikthye aktrimit pasi kjo i mundësonte të kalonte më shumë kohë pranë familjes, teksa pranoi se për një periudhë ishte ndjerë e thyer emocionalisht.
Megjithatë, Jolie u shpreh se tani e ndjen veten më të fortë, duke shtuar se energjinë dhe shpirtin luftarak i ka rifituar falë fëmijëve të saj, të cilët e kanë mbështetur dhe inkurajuar gjatë gjithë kësaj kohe. /Telegrafi/
















































