LAJMI I FUNDIT:

Analistët komentojnë deklaratat e Escobarit në Prishtinë

Analistët komentojnë deklaratat e Escobarit në Prishtinë

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha të martën se është koha që të diskutohet për fillimin e themelimit të Asociacionit të komunave serbe dhe se këtë tha ai, “ia ka bërë të qartë edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë takimit me kryeministrin Kurti së bashku të dërguarin evropian Miroslav Lajçak.


Analistët në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit këto deklarata të Escobarit i kanë konsideruar jo të lehta për Kosovën dhe qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.

Analisti Ylli Hoxha duke i komentuar deklaratat e dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se kërkesa për implementimin e Asociacionit është barrë e rëndë për Kosovën.

Ylli Hoxha

“Asociacioni do të jetë lëshim shumë i madh. Kushdo që do ta bëjë në Kosovë, ndoshta nuk e bën Kurti por liderët tjerë, por kushdo që do ta bëjë do të jetë damkë e madhe për këtë vend”, tha Hoxha.

Analisti Astrit Gashi, ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbë në Kosovë, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë katër muaj që po kërkojnë shkrimin e një statuti për themelimin AKS-së.

Megjithatë, Gashi ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese ia kanë “thyer dhëmbët” Asociacionit.

Astrit Gashi

“Ky nuk është më asociacion që mund t’i shkaktojë dëm Kosovës, në qoftë se bazohen në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse në këtë interpretimi nuk mund të jetë as Asociacion i Serbëve”, ka theksuar Astrit Gashi.

Ish-ministri Dardan Gashi ka thënë se deklarata e Escobar, lidhur me implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, paraqet një frustrim të SHBA-ve me Qeverinë Kurti.

“Nëse Amerika thotë se kjo Qeveri nuk vlen asgjë për këtë vend, që ka ardhur deri në këtë pikë, këta (SHBA) munden të thonë që kjo qeveri duhet të shkojë, dhe në vend të saj të vije një tjetër”, ka deklaruar Gashi.

Komente të tilla të Gashit erdhën pas deklaratës së Escobar, i cili kishte cekur edhe alternativa në mungesë të Qeverisë së Kosovës drejt implementimit të Asociacionit.

Dardan Gashi

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën, duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, thuhej në deklaratë.

Pjesëtari i shoqërisë civile, Dibran Hoxha thotë se Escobar e tha që Asociacioni nuk do të jetë kopje e Republikës Serbe në Bosnje.

“Escobari e tha se Asociacioni si mekanizëm nuk do t’i imponohet Kosovës. Kurti do të gjejë ndonjë alternativë dhe do të implementojë edhe Asociacionin pa kompetenca ekzekutive. Sigurisht se edhe Kurti do të marr një faturë për këtë gjë në zgjedhje, por kjo për Serbinë do të jetë një Rambuje 2 që nuk do ta pranojë. Pra nëse për Kosovën Aociacioni do të jetë leva e fundit, çka do të pranojë Serbia nga plani franko-gjerman”.

Dibran Hoxha

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se Escobari pos garancive të sigurisë që dha për Kosovën, ia ka bërë të qartë Qeverisë së Kosovës se serbët lokalë  kanë kërkesa që duhet t’iu plotësohen, ku njëra prej tyre, është Asociacioni i Komunave me Shumicës Serbe.

“Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk do të jetë me mekanizëm, i cili i mbivendoset Kosovës, që bie që nuk është një shtet i pavarur brenda Kosovës që i mbivendoset institucioneve të Kosovës”, ka shtuar ai.

Visar Ymeri

Takimi ndodhë në një periudhë tensionesh në veriun e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe t’i kthehen tryezës së bisedimeve.

Escobar dhe Lajçak pritet të qëndrojnë të mërkurën në Beograd për t’u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Diplomatët perëndimor shpresojnë të nxisin bisedimet rreth një propozimi evropian që parasheh normalizimin e marrëdhënieve por pa njohje që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi, por zotimin e palëve se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare./Telegrafi/