Autoritetet amerikane kanë zbuluar një tunel të sofistikuar që përdorej për kontrabandimin e drogës nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara. Tuneli, i ndërtuar nën kufirin mes dy vendeve, kishte dalje të fshehtë brenda një dyqani në territorin amerikan.

Sipas hetuesve, tuneli ishte i pajisur me ndriçim, ventilim dhe sisteme të tjera që lehtësonin transportimin e sasive të mëdha të narkotikëve pa u vënë re nga autoritetet.


Agjentët e patrullës kufitare dhe hetuesit federalë arritën ta zbulojnë korridorin nëntokësor gjatë një operacioni të përbashkët kundër trafikut të drogës. Tuneli shtrihej nga qyteti meksikan i Tijuanës deri në anën amerikane të kufirit, shkruan foxnews.

Pamjet e publikuara nga autoritetet tregojnë se nëpër tunel mund të ecet lirshëm, ndërsa dalja e tij në SHBA ishte kamufluar në mënyrë që të dukej si pjesë normale e një objekti tregtar.

Zyrtarët amerikanë theksuan se tunele të tilla përbëjnë një nga metodat më të avancuara që përdorin kartelet e drogës për të anashkaluar kontrollet kufitare. Në të kaluarën janë zbuluar edhe tunele të ngjashme, disa prej tyre me gjatësi qindra metra dhe të pajisura me hekurudha të vogla, energji elektrike dhe sisteme ventilimi.

Hetimet për rastin janë në vazhdim dhe autoritetet po përpiqen të identifikojnë personat përgjegjës për ndërtimin dhe përdorimin e tunelit. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com