LAJMI I FUNDIT:

Ambasadorja amerikane në Shkup e zhgënjyer me paaftësinë e Gjykatës së Apelit

Ambasadorja amerikane në Shkup e zhgënjyer me paaftësinë e Gjykatës së Apelit

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me mision në Shkup, Angela Price Aggeler më 11 prill të këtij viti ka adresuar një letër deri tek instancat gjyqësore dhe të ekzekutivit në të cilën shpreh shqetësimin dhe dëshpërimin e saj dhe të SHBA-ve, për siç thotë “vendimet e rrëzuara kundër profileve të larta të cilat Gjykata Apelit i ka kthyer në shkallën e parë”.

Letrën të cilën e ka siguruar Alsat nga burime brenda Qeverisë, potencon edhe përpjekjet e SHBA-ve dhe gjysmë miliardë euro të investuara për reforma në gjyqësor.


“Çdo ditë e më shumë shqetësohem dhe zhgënjehem për numrin e madh të lëndëve (nga profilet e larta) që Gjykata e Apelit i ka kthyer në shkallën e parë për rigjykim. Paaftësia e dukshme e gjykatave për t’i kaluar rastet në mënyrë të shpejtë përmes gjykimin, në Apel dhe kalimi i tyre para dhe mbrapa mes Apelit dhe Themelores po gërryen edhe më tej besimin e ulët që opinioni ka tek gjykatat”, thuhet në letrën e Ambasadores Aggeler.

Letra i referohet kryesisht rasteve për të cilat opinioni është shqetësuar e që ndërlidhen me gjykimet ndaj ish funksionarëve të cilët kanë shpërdoruar detyrat zyrtare dhe kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.

Sipas informacioneve të Alsat, letra me përmbajtjen e njëjtë përveç Qeverisë (kryeministrit) i është dërguar edhe ministrave Krenar Lloga dhe Bujar Osmani, Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe disa gjykatave të tjera themelore.